Pak ditë pas vizitës së Nikos Dendias në Tiranë, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u shpreh sot se Shqipëria dhe Greqia janë në dialog për të zgjidhur cështjet e vjetra delikate mes tyre. Disa prej këtyre cështjeve, pa i përmendur konkretisht, por referuar edhe reagimit të ministrit të jashtëm grek kur iu kujtua Çamëria, ajo i cilësoi të ngarkuara emocionalisht dhe politikisht.
“Cdo vend ka ligjet e veta në raport me pajisjen me dokumente të emigrantëve apo aspirojnë të jetojnë në atë vend. Kemi diskutuar për të drejtat e shqiptarëve në Greqi, që janë integruar shumë mirë dhe vetë shteti grek flet për mundësi më shumë dhe ky kujdes ka qenë pjesë e diskutimeve tona për lehtësia apo për të diskutuar për të drejtat e tyre, fëmijëve të emigrantëve për të mësuar gjuhën shqipe, por edhe shumë cështje të tjera që shpesh janë të ngarkuara emocionalisht dhe politikisht në kuadër të zgjidhjeve që duhet të gjenden për të zgjidhur problematikat e së kaluarës dhe aktualet sot se Shqipëria është shumë e interesuar” tha ajo.
E pyetur në cfarë pike janë diskutimet për dosjen e “detit” që do të dërgohet në Hagë dhe a po pret shumica që të mbarojë Ilir Meta mandatin për të vijuar procesin, pasi duhet aprovimi i tij, Xhaçka tha se procesi vijon. “Kjo nuk është cështje që ka lidhje vetëm me Presidentin, por përgatitjen reciproke të dy vendeve për kompromisin që do të shkojë në gjykatë dhe mos dakordësitë mes nesh. Në atë fazë jemi dhe kur të vijë momenti do të ulemi për të dakordësuar një kompromis të tillë” tha ajo.