Është zbardhur e plotë rezoluta e Partisë Demokratike për gjenocidin serb në Kosovë, e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Rezoluta u dërgua në Kuvend nga deputetët e PD, drejtuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.
Në rezolutë theksohet se PD “dënon fuqishëm gjenocidin serb në Kosovë ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, si dhe “konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Kosovës nga forcat ushtarake Serbo-Jugosllave, si dhe luftës së përgjakshme, gjatë periudhës 1998-1999, forcat serbe kryen në Kosovë gjenocid”.
Më tej, PD vë theksin te krimet e kryera në Kosovë nga forcat serbe, duke deklaruar se “u shkatërruan dhe u kthyen në gërmadhë, vendbanime dhe shtëpi, u vranë në mënyrë barbare fëmijë, gra dhe të moshuar, shpesh herë duke i djegur të gjallë në prani të tjerëve, madje edhe në fabrika, furrnalta apo duke i groposur në puse”.
Gjithashtu, në rezolutën e paraqitur nga Partia Demokratike thuhet se “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shpall 15 Janarin, ditën në përkujtim të masakrës së Reçakut, ditë të përkujtimit të Genocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë”.

