Të hënën në ora 11:00 Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të shqyrtojë projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për fondet pensionale, përkatësisht propozimin për lejimin e tërheqjes së 30% të Trust-it pensional nga qytetarët e Kosovës.
Me shumicën parlamentare kundër, opozita për mëse një muaj ka qenë duke udhëhequr betejën për realizimin e kësaj mase, e cila, sipas tyre, do të jetë faktor ndihmues karshi krizës së thelluar ekonomike.
Lëvizja Vetëvendosje, që nga Kryeministri, Ministri i Ekonomisë, Shefja e Grupit Parlamentar e në fund edhe Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, kategorikisht e kanë përjashtuar mundësinë që një ligj i tillë të kalojë.
Arsyetimi i tyre është i natyrës “preokupuese” karshi sigurisë dhe dinjitetit të jetës pas-pensionale të qytetarëve. “Varfërim i pleqërisë”, sipas tyre, është kalimi i këtij ligji.
Në anën tjetër, opozita, argumenton ndryshe. Nëse paratë janë të qytetarëve, dhe ata kanë nevojë dhe duan t’i shfrytëzojnë ato, atëherë edhe rrjedhimisht duhet t’u lejohet. Kriza ekonomike nuk ka qenë indiferente ndaj askujt, shpjegojnë ata.
Madje Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, garanton se përveç opozitës si tërësi, edhe në mesin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje janë 12 prej tyre të cilët do ta votojnë projektligjin, ndonëse GP i LVV-së nuk e pohon një gjë të tillë.
Megjithëkëtë, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, siç u raportua në disa media, personalisht i ishte drejtuar ministrit Murati që për vlerën e kthyer në fitim e Trust-it pensional prej mbi 200 milionë eurove gjatë vitit 2021, të gjenden modalitete për lejimin e tërheqjes së saj.
Inflacioni i lartë, çmimet e papërballueshme, janë dy gjëra të cilat i pohojnë dy palët, ndonëse propozimet i kanë të papajtueshme.
Qeveria, në fund të prillit ndërmorri një masë homogjenizuese të pagesave prej 100 eurove për të gjithë që kanë paga nën 1 mijë euro.