Avokatja e Popullit Endira Ballanca e cilësoi katastrofike gjendjen në qelitë e komisariateve. E pranishme sot në komisionin e Ligjeve, e quajti skandaloze gjendjen e komisariateve në Tiranë, ku të ndaluarit mbahen në kushte çnjerëzore.
“Gjendja në komisariatet e Tiranës në mënyrë të veçantë është katastrofike, tërësisht në kundërshtim me standardet për qëndrimin e personave të privuar nga liria. Kemi pasur raport për dhoma të mbyllura, dhe kur ne kemi shkuar për inspektim i kemi gjetur të hapura.
Futeshin brenda në komisariate, persona me zero kushte, për shkak se kishin protestuar në shkelje të rregullave anti-covid. Ndërkohë në ato komisariate nuk ka pasur asnjë kusht, prej 3 vitesh në Tiranë po ndërtohet një bllok i dhomave të sigurisë, me një kapacitet tjetër, dhe me kushte të tjera.
Dhe aty kemi një problem, sepse është bërë një investim pa menduar, ky boks i ri nuk ka elementë sigurie në përputhje me ligjin, me të drejtë drejtori i policisë, kur ka shkuar për të marrë në dorëzim objektin, ka refuzuar, sepse nuk ka elementë të sigurisë. Kemi 7 muaj që qytetarët jetojnë në kushte skandaloze, për shkak se personi që duhet të kishte parë elementët e sigurisë, nuk e ka bërë detyrën e tij.
Kemi kërkuar ndjekje penale, lekët hidhen, dhe investimi në rastin konkret nuk po çon aty ku duhet të çonte, është një problem jo i vogël për Tiranën. Diku do të shkojnë këta njerëz, në rastin e Kamzës psh, drejtori i komisariatit ka thënë ‘ku ti çoj?, jam i detyruar’. Pra në fund të ditës problemi thelbësor që mbetet është se investimi që u bë…Unë kam bërë takim dhe me zotin Nano për këtë çështje”, u shpreh Ballanca.