Një vajzë e mitur, 13-vjeçare nga Plemetini i Obiliqit, është kthyer në shtëpi te familja e saj 6 muaj pasi kishte ikur. Gj.B., në muajin nëntor të vitit të kaluar, ka shkuar në Mitrovicë, pa lejen e prindërve, të bashkëjetojë me të miturin, I.H, 16-vjeçar, me të cilin thotë se është martuar.
“E kom dashtë, e kom lanë shkollën edhe kam ik”, deklaron ajo për Klan Kosovën.
Babai i saj, thotë se të hënën ishte tentimi i tretë për të sjellë vajzën në shtëpi. Dy herët e tjera e kishte sjellë, por e bija përsëri kishte ikur.
Të hënën, para se ta sillte në shtëpi, kishte kërkuar nga familja e 16-vjeçarit 3000 euro nëse duan ta mbajnë vajzën, ndryshe thotë s’kishte si ta kthente Gj.B. në shtëpi.
“Arsyeja asht që e kom ditë që ata s’kanë pare me m’i dhanë edhe ia kam lypë, se e kam ditë që kanë me ma kthy vajzën,” ka thënë i ati.
Vajza ka deklaruar në polici se familja e tij nuk ka pasur kaq para, bile as 500 euro, i cili ishte çmimi më i ulët i kërkuar nga babai i vajzës.
Duke qenë se nuk i dhanë para, F.B. kërkoi ndihmën e policisë, e cila i ndihmoi që vajza të kthehet në shtëpi, por tani forcat e rendit po merren me të e prindërit e I.H.
Në qendrën për punë sociale në Obiliq, thonë se paratë nuk janë dhënë.
“ Pas intervistimit të të dy prindërve të dy palëve, ne nuk kemi argumente se është dhënë mito” deklaron Haki Mjeku, drejtor i QPS në komunën e Obiliqit.
Mjeku tha se do të bisedojë me drejtorinë e arsimit në këtë komunë e do të bëjnë zgjidhje që e mitura 13 vjeçe të vazhdojë mësimin intensiv dhe do të kujdesen që më mos të braktisë shkollën.
“Si ta kryej shkollën e t’i bëj 16 vjeç, kam me shku prapë te burri” – deklaron e mitura.
Babai i vajzës po kërkon ndihmë nga shteti që vajza të shkollohet e mos të shkojë te burri, pasi vetë s’mund t’ia dalë, meqë ka edhe pesë fëmijë të tjerë e jeton në kushte të rënda ekonomike.