Një dosje hetimore që flet për vrasjet me pagesë dhe një seri grabitjesh me armë e deri tek kundërvënia me kallashnikov, ndaj një patrulle policie në Rinas, pritet të tërhiqet nga SPAK tek prokuroria e Laçit.
Dëshmia e Nuredin Dumanit, ka hyrë në një fazë të dytë verifikimi, pasi bashkëpunëtori i drejtësisë ka folur dhe nxjerrë emra të tjerë në SPAK, çka ka detyruar 3 prokurorët të tërheqin më shumë se 18 dosje nga prokuroritë e rretheve.
Qëllimi është bashkimi me dosjen Nr.75, ku tashmë janë proceduar plot 32 persona, ndërsa vijohet të kryhen veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë.
Gjatë këtyre ditëve, SPAK ka shtuar kërkesat dhe interesin ndaj disa procedimeve, që janë regjistruar në prokurorinë e rretheve, ku një ndër to është dhe çështja penale që flet për tentativën e vrasjes së Alfred Gjokës.
Pikërisht në këtë dosje, është i përfshirë dhe Ilirian Feçi, njeri i afërm i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit, ku së bashku dyshohet se kanë kryer disa grabitje me armë. Feçi qëndron në burg qysh prej Shkurtit 2022 pasi u arrestua gjatë një operacioni të kryer nga prokuroria e Laçit dhe Tiranës.
Mes të arrestuarve të tjerë janë Damjan Lleshaj, Robert Laçi, Erion Mulaj, Ibrahim Difaj dhe në kërkim Shpëtim Kraja.
Ndërsa sipas prokurorisë, personi që ka folur dhe bashkëpunuar me policinë është pikërisht Ibrahim Difaj, i cili ka treguar aktivitetin kriminal të këtij grupi në ngjarjet ku Difaj ka qenë dhe vetë protagonist.
Difaj ka hedhur dritë mbi tentativën e vrasjes së Alfred Gjokës, kundrejt një pagesë prej 20 mijë euro që ishte bërë pikërisht nga personi në kërkim, Shpëtim Kraja.
Bashkëpunëtori ka treguar se plani për vrasjen e Gjokës në muajin Gusht 2021 ka dështuar, pasi objektivi ka reaguar shumë shpejt, duke u larguar me kamjonçinë.
Për më tepër ky grup ku aderonte dhe shoku i Nuredin Dumanit e Talo Çelës, kishte qëlluar me armë zjarri dhe në drejtim të një patrulle policie, ngjarje kjo e ndodhur vitin e kaluar në zonën e Qafë-Kasharit./Tema