Presidenti Ilir Meta mesditën e sotme ka bërë homazhe për të nderuar figurën e Bujar Nishanit. Meta tha se Nishani do të mbetet në memorie si shtetar serioz dhe figurë me integritet.
“Ngushëllime familjes për këtë ndarje të dhimbshme dhe të parakohshme të Bujar Nishanit nga jeta.
Ai ishte politikan dhe shtetar serioz, që në cdo detyrë shkëlqeu me korrektësinë e tij, integritetin e tij dhe konstruktivitetin në cdo detyrë.
Ishte një mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar dhe publik. La pas një trashëgimi pozitive dhe kujtim të paharruar” tha ai.
Ish-kreu i shtetit ndërroi jetë ditën e shtunë në Gjermani. Sot dhe nesër do të bëhen homazhe.
Arkëmorti sot u vendos në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, ku familjarët do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.
Të enjten zhvillohen homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial e mori në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.
Ai ishte presidenti i gjashtë i Shqipërisë.