I dënuari Fotaq Zaharia, i njohur ndryshe edhe si i forti i Vlorës për shkak të veprave penale për të cilat është dënuar ka fituar betejën gjyqësore në Strasburg me shtetin shqiptar duke detyruar qeverinë që t’i paguajë 15 mijë euro dëmshpërblim. Ai pretendoi në gjykatën e Strasburgut se shteti shqiptar nuk i ofroi mundësinë për t’u diagnostikuar, teksa ishte në qeli duke fituar gjyqin.
“Gjykata e Strasburgut ka thënë në mënyrë eksplicite, që përjashtimisht kur kushtet shëndetësore nuk janë në përputhje me kushtet në të cilat ata mbahen në sistemin e burgjeve, atëherë shtetasi duhet të lirohet”, sqaroi Komuniteti Shqiptar i Helsinkit.
I cilësuar si i forti i Vlorës, Fotaq Zaharia u dënua me 24 vite heqje lirie nga Apeli i Krimeve të Rënda për akuzat e “grabitjes”, “pengmarrjes” dhe “tentativës së vrasjes”. Pas 11 viteve ai kërkoi lirinë pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua, por shteti e mbajti në qeli dhe Zaharia fitoi gjyqin për kushtet.
VENDIMI I PLOTE
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.45022/16)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.