Javën e kaluar qeveria njoftoi miratimin e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar që i jepet kompanisë “Gener 2”, ndërsa dje e publikoi kontratën në fletoren zyrtare. Debati dhe pikëpyetjet që ngrihen nga kontrata janë të shuma nisur nga çmimi, rruga alternative, kushtet që ka pranuar ministria, por mbi të gjitha domosdoshmëria për të marrë përsipër një rrezik të tillë në kushtet aktuale.
“5pyetjet.al” kontaktoi ekspertin Zef Preçi i cili i bëri një skaner kësaj kontrate. Ai liston tre probleme që nuk shkojnë në këtë kontratë që në fund, sipas tij me kushtet që ka pranuar qeveria me garantimin e trafikut të munguar rrezikohet buxheti i shtetit dhe jo i firmës “Gener 2”.
“E para, ajo që duhet thënë është që nuk del qartë domosdoshmëria e kryerjes së këtij investimi. Nuk është provuar që është investim emergjent, përpara një krize ushqimore në botë. Argumentimi i emergjencës nuk është i qartë.
Së dyti, mungon oponenca për kostot. Së treti mendoj se garancitë shtetërore që ofrohen për 8 vite e vendosin investitorin në pozitë të favorizuar që është risk për buxhetin e shtetit. Kjo është tregues i ngjashmërisë së kontratave të tjera, rreziku financiar mbartet te buxheti dhe nuk ndahet risku. Nëse nuk ndahet risku, cfarë kuptimi ka, pse nuk bëhet tender?” tha ai.
Një tjetër problem është rruga alternativa për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë. “Principi i koncesionimit në transport është që duhet të kesh rrugë paralele pa pagesë. Por për fat të keq, qeveria shkon me mendimin se mjafton të dalin paratë nga buxheti, duke harruar, se qoftë edhe 2 euro sa do të jetë tarifa, varfëron jetën e shqiptarëve. Kjo është kundër zhvillimeve në botën e sotme” tha ai.
Pyetja naive që shtrohet është nëse qeveria që firmos këto kontrata problematike dhe kosto, nuk di apo nuk do? “Të dyja bashkë. Ka shumë mediokritet në vendimmarrje, motivohet nga interesa të vogla, momentale, korruptive. Një numër kontratash koncesione apo lejesh ndërtimi për kulla, etj po rrezikojnë të shndërrohen për të kanalizuar para me origjinë kriminale. Nëse ky kurs vazhdon ekziston rreziku që qeveria të kthehet në një llogaritare e oligarkëve” tha ai.
Fakti që nuk e çoi në rekurs kontratën, por pranoi apelin duke iu bindur firmës fituese “Gener 2”, Preçi e shikon si arrogancë nga qeveria Rama. “Qeveria vazhdon me arrogancë kursin e agresionit mbi gjithçka publike. Duhet pranuar se është rast “sui generis”, që një vendimmarrje që lidhet me taksat e qytetarëve në 30 vitet e ardhshme dhe nivelin e jetesës së tyre, të konsiderohet se qeveria zbaton vendime te gjykatave.
Kjo qeveri dallohet për arrogancën e saj dhe mos respektimin qoftë të rekomandimeve të KLSH, të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave. E bëjnë për t’i thënë opinionit se ne nuk deshëm, por na detyroni gjykata. Është si dorëzimi i kontrolluar i këtyre zyrtarëve të përfshirë në afera”.
Por si mund t’i vihet fre kësaj politike të koncesioneve? Në këtë pikë, eksperti kërkon reagim pasi mund të gjendemi shumë shpejt përpara kolapsit total. “Rritja e borxhit publik është në kufi të një kërcënimi serioz dhe rrezikon ta vendosë Shqipërinë në kufijtë e dy ndërhyrjeve; të rrisë më tej taksat dhe të zhvlerësojë pasuritë kombëtare. Këto kontrata shkojnë kundër interesit momental apo afatmesëm.
Po të jetë për ta frenuar politikën, mendoj se ka nevojë për më shumë debat publik. Situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Kjo sjelle është arrogante nga qeveria. Me këto kontrata, qeveria përcakton ku do të shkojnë taksat në periudhat që vijnë, po deformohet vullneti për përcaktimin e prioriteteve.
Zgjedhjet bëhen për të përcaktuar prioritetet e vendit, përsa koha janë përcaktuar ku do të shkojnë taksat, e humbet kuptimin edhe vetë zgjedhjet. Ka më shumë debat dhe vendimmarrje të pjekura” përfundoi ai.
Historia e koncesionit
Ky koncesion është pjesë e programit 1 miliard euro dhe nisi si shumë të tjerë si një propozim i pakërkuar nga kompania “Gener 2” në vitin 2017. Qeveria e pranoi propozimin duke e shpërblyer kompaninë “Gener 2” me 8.5 për qind të pikëve. Tenderi u zhvillua në korrik të vitit 2018 dhe, ashtu siç pritej, fituese e koncesionit u shpall kompania Gener 2, e cila ofroi ta ndërtonte rrugën me 225.8 milionë euro.
Këtu ishte vetëm vlera e ndërtimit, pa përfshirë mirëmbajtjen, koston e interesit të parasë për 13 vjet dhe fitimin e kompanisë. Vlera e vërtetë ishte shumë herë më e madhe. Por pasi doli skandali i “DH Albania” kontrata koncesionare u ndërpre në 21 janar të vitit 2019 dhe fondet e parashikuara që të shkonin për këtë projekt, qeveria i kaloi për universitetet pas protestës së studentëve.
“U ndërpre procedura e Partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Fondi i dedikuar për ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar do të kalojë për Universitetin” deklaroi Balluku, tre vite më parë.
Në 6 shtator të vitit të kaluar Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë vendosi që të rikthejë koncesionin për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar duke i dhënë të drejtë kompanisë “Gener2” dhe rrëzuar qeverinë, që kishte fituar në shkallën e parë. Vendimi u mor nga trupa e gjyqtarëve, e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa. Vendimi ishte i formës së prerë duke i kërkuar Këshillit të Ministrave që të miratojë kontratën me kompaninë.
Dy ishin rrugët e qeverisë; ose ta pranonte, ose ta ankimonte duke i bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Këshilli i Ministrave zgjodhi rrugën e dytë, koncesioni kaloi nga dera e pasme. Qeveria, përmes ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku u justifikua se ajo e anuloi kontratën, por e detyroi gjykata, por në fakt vendimit të Apelit nuk i bëri rekurs në Gjykatën e Lartë.