Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë lamtumirën e fundit ish-presidentit Bujar Nishanit.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani është shprehur se Nishani u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore.
“Sot ia dhamë lamtumirën e fundit ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, i cili u nda nga jeta ditë më parë. Në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar. Ai u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar. Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore. Populli i Kosovës dhe institucionet e saj do ta kujtojnë përherë me mirënjohje të thellë. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani”, ka shkruar Osmani.