Zëvendëskryeministri për dialog në Kosovë, Besnik Bislimi, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi janë afër arritjes së marrëveshjes për energjinë, por që ende nuk kanë pajtueshmëri për një marrëveshje përfundimtare për çështjen e targave të automjeteve.
Në një intervistë për mediumin serb “N1”, Bislimi ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është duke u zhvilluar me shpejtësinë që Kosova ka pritur.
“Po ecën ngadalë kryesisht për shkak të strategjisë së zgjedhur dukshëm nga negociatorët e Beogradit, e cila krijon pengesa. Këtu përfshihet marrëveshja energjetike dhe targat”, tha ai, duke shtuar se pret që pala serbe të bëjë hapin përfundimtar për marrëveshjen për energjinë.
Bislimi ka thënë se negociatorët serbë kanë refuzuar të zgjedhin një nga opsionet e ofruara për çështjen e targave.
“Kishte tre opsione dhe nëse të dy delegacionet zgjidhnin opsione të ndryshme, zyrtarët e lartë do t’i bashkonin të dyja, por pala serbe refuzoi të zgjidhte dhe zgjodhi pengimin”, tha Bislimi.
Sipas Bislimit, Beogradi po krijon një problem duke e përdorur çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Pengesat për zbatimin janë krejtësisht artificiale pasi Serbia nuk ka zbatuar dy herë më shumë marrëveshje nëse krahasohet me Kosovën. Ata nuk kanë kredibilitet të kërkojnë asgjë nga Kosova. Beogradi ka rënë dakord me ish-qeverinë e Kosovës që ta trajtojnë këtë çështje si pjesë të një pakete të përgjithshme”, citohet të ketë thënë Bislimi.
Më tej ai ka theksuar se Kosova është e obliguar të zbatojë marrëveshjet ekzistuese por shtoi se disa marrëveshje të nënshkruara janë vetëm të përkohshme.
Marrëveshja për energjinë e arritur në vitin 2013, është njëra prej temave të cilat mbesin me ngecje të theksuara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Pagesa e shpenzimeve të rrymës për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dilemat rreth shfrytëzimit të kapacitetit të Liqenit të Ujmanit dhe vonesat deri në funksionalizimin e linjës së njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri”, janë vetëm disa nga telashet që janë prodhuar.