-sidi education-spot_img
25.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kush po gjykohet në Hagë

Kryesoret

Bedri Islami

Tashmë dihen vendimet e para të dhëna nga Gjykata Speciale, “ në emër të popullit të Kosovës”. Haredinaj dhe Gucati, në shkallën e parë të gjyqësorit dëgjuan verdiktin e zotit Smith, për dënimin e tyre me 4 vite e gjysmë burg dhe, ironi e drejtësisë, 100 euro gjobë.

Ku ishte “ faji” i tyre?

Thuajse dy vite më parë, në fillimin e shtatorit 2020, një njeri i panjohur dhe i maskuar, i cili më vonë mori nofkën “Rrufeja”, natën, hodhi në selinë e veteranëve të luftës një thas me dokumenta, të cilat kishin siglën “ sekret”. Sipas shënimit të vënë ata ishin dosje të Prokurorisë Speciale. Kryesuesit e Organizatës së Veteranëve iu drejtuan menjëherë Policisë së Kosovës për të hetuar lidhur me njeriun që, edhe më pas, po ashtu, natën dhe i maskuar, hidhte në mjediset e selisë dosje të tjera.

Ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Rashit Qalaj ka dëshmuar se :
“Hetuesit të cilët kanë qenë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që u është bërë kërkesë nga zyrtarët e kësaj organizate për hetimin e këtij rasti, për hapjen e rastit, kanë kontaktuar fillimisht nëpërmjet zinxhirit komandues me drejtorin e departamentit për hetime në Policinë e Kosovës, i cili pastaj ka kontaktuar me prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës , dhe nga ai ka marrë përgjigjen që Policia e Kosovës nuk mund të hetojë këtë rast, për shkak se ky rast bie në kompetencat e zyrave të specializuara këtu në Hagë”, ka thënë Qalaj.

Është disi e çuditshme : megjithëse dalin me shumicë dosje të tëra, të reja dhe të vjetra, pasi mes tyre gjenden edhe proçese gjyqësore të institucioneve serbe të vitit 1981, askush nga Prokuroria Speciale nuk nis menjëherë hetimet për rastin dhe nuk shpejton të tërheqë dosjet e lëna në mëshirën e fatit. Në ato dosje, si kanë bërë vetë të njohur ka pasur emra dëshmitarësh, ngjarje, hetime të veçanta, të cilat mund të dëmtonin rëndë gjithë zhvillimin e proçesit gjyqësor. Edhe pse dosjet vazhduan të dalin nga institucioni i tyre, ose nga diku tjetër që është në marrëveshje me këtë strukturë të specializuar, përsëri nuk ka asnjë lëvizje.

Ish Drejtori i Përgjithshëm, Qalaj, shpreh habinë e tij :
“Edhe në të kaluarën , sidomos në vitet e para të krijimit të Policisë së Kosovës ka pasur raste kur ata janë hetuar vetëm nga Policia e UNMIK-ut, mirëpo në atë kohë Policia e Kosovës nuk ka pasur kapacitete të zhvilluara të merret me raste, sepse ka qenë në formim e sipër, mirëpo, që nga shpallja e pavarësisë e tutje ,në të gjitha rastet apo në shumicën e rasteve, ka qenë Policia e Kosovës ajo që është marrë me shumicën e tyre së bashku me kolegët tanë ndërkombëtarë. Dhe kjo është hera e parë që Policia e Kosovës nuk ka pasur as edhe një komunikim të vetëm me

Dhomat e Specializuara që janë këtu në Hagë”, ka thënë ai.
Vëreni : është hera e parë që Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjë komunikim të vetëm me Dhomat e Specializuara në Hagë. E çuditshme! Dosjet e trafikuara ishin pikërisht të Prokurorisë Speciale!

Për më tepër, shton zoti Qalaj , se :
“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur ndonjë kontakt, absolutisht të vetëm, asnjë bisedë telefonike, asnjë komunikim me shkrim, mirëpo të vetmin komunikim që më ka thirrur dikush në telefon ka qenë një ditë pasi që është arrestuar zotëri Haradinaj, pra nëse nuk gaboj ka qenë data 26 shtator. Ky është kontakti i vetëm (me ZPS-në) dhe ajo thirrje telefonike ka qenë falënderim për ofrimin e asistencës me datën 25 shtator, atëherë kur Policia e Kosovës është angazhuar që të menaxhojë turmën që ishte e mbledhur para zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, ka thënë Qalaj.

Që nga fillimi i shtatorit dhe deri në 25 shtator, kur ndodh edhe bastisja e zyrave të Organizatës së Veteranëve janë thuajse tri javë dhe nuk ka asnjë lëvizje, asnjë hetim, asnjë i dërguar i Prokurorisë Speciale, dhe, për më tepër, asnjë hetim, pasi si përsërit ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nuk mund të realizohej as kontrolli i kamerave të sigurisë , pasi kjo nuk mund të bëhet pa urdhëresë nga gjykata, andaj ,sipas tij , nuk janë ndërmarrë veprime hetuese si shkak i mungesës së autorizimit nga prokuroria.

Kujt i interesonte e gjithë kjo? Organizatës së Veteranëve, jo. Nëse ishte fjala për dëshmitarët e Prokurosisë Speciale, si do të deklaronte në gjyq Haradinaj, asnjëri prej tyre nuk ishte sekret që prej 5 viteve dhe nuk kishte pse të bëhej as redaktim tekstesh dhe as përhapje informatash. Duke vënë re se Prokuroria Speciale po hesht, drejtuesit e Veteranëve bëjnë konferencë shtypi, me 7 shtator 2020, ku qartësojnë se në zyrat e tyre, një i panjohur, i pa hetuar dhe i pagjetur ende, po dërgon dosje të tëra që lidhen me hetimet e Prokurorisë Speciale. Edhe pas takimit me mediat, Prokuroria hesht deri në 25 shtator, kur bën edhe arrestimet e njohura tashmë.
Përse u zgjodh pikërisht Organizata e Veteranëve për dërgimin e dosjeve të fshehta hetimore? Poseduesi i tyre , nëse do të kishte për qëllim shpërndarjen dhe publikimin, a nuk do të ishte më i sigurtë nëse do i hidhte në dyert e një mediat të njohur, si Expres apo Kosova sot, e, për të shkuar më tej, në Epoka e Re, e njohur si media tradicionalisht, që gjatë luftës, në përkrahjen e UÇK-së?

Organizata e Veteranëve kishte bërë të njohur publikisht se nuk e përkrahte krijimin e një Gjykate Speciale një etnike, e cila do të hetonte dhe gjykonte vetëm krimet e supozuara të UÇK-së, duke amnistuar kështu forcat serbe të sigurisë, ushtrisë dhe sidomos paraushtarakët. Nëse duhej shuar një zë kritik, ai ishte pikërisht aty. Naiviteti i drejtuesve të saj dhe besimi se më në fund në Kosovë informacioni është i lirë, megjithëse asnjë sekret dhe asnjë emër nuk u bë i njohur, ishte përfitimi që duhej të arrihej dhe u arrit.

Ka qenë prakikë e njohur e strukturave ndërkombëtare të sigurisë apo të drejtësisë në Kosovë që, pas çdo manifestimi apo demonstrimi të shpallnin se ato që po demonstrojnë janë forcat e krimit dhe do të përgjigjen para drejtësisë. Megjithëse në demonstrim mund të ishin qindra dhe mijra vetë.

Goditja që duhej dhënë ndaj organizatës së veteranëve nuk ishte e pamenduar dhe dosjet nuk u dërguan rastësisht aty. Jo rastësisht nuk u lejua Policia e Kosovës, si në të gjitha rastet e tjera, të bënte hetimet e duhura dhe, jo rastësisht nuk u bënë veprime e duhura.Për më tepër, vetë rasti , si i tillë, nuk ishte nën juridiksionin dhe në të drejtën e Dhomës së Specializuar.

Avokati mbrojtës i Nasim Haradinajt ka vërejtur :“Duhet të rishikoni akuzat ndaj klientit tim. Ai s’është akuzuar për krime lufte. Ky është tribunal për krime lufte dhe klienti im s’është i akuzuar për krime lufte. Në parashtrim kam thënë se kjo gjykatë s’ka juridiksion për këto akuza ndaj klientit tim.“

Arsyetimet e dhëna në vendimin e gjyqtarit Smith mund të ishin për secilën media apo strukturë informimi në Kosovë.
„ Dënimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka cilësuar analisti i njohur Milazim Krasniqi , pse u kanë shpërndarë gazetarëve materiale, të cilat dikush ua ka lënë te dera e zyrës, e sfidon logjikën e shëndoshë. Me këtë logjikë gazetarët hulumtues dhe sidomos burimet e informimit mund të dënohen çdo ditë, ngase i ofrojnë publikut dokumente konfidenciale. Bile, me këtë qasje i bie që nëse dikush përhapë lajmin se ndonjë shtëpi po digjet, ai mund të dënohet pse ka treguar, në vend të atij që i ka vu flakën shtëpisë. Pra, në rastin konkret Gjykata do të duhej të ndiqte ata që kanë nxjerrë dokumentet, jo ata që ia kanë lënë në dispozicion medieve e publikut.“

Kush po gjykohet në Hagë?
Është paramenduar dhe është saktësuar se në gjykimin e krimeve të supozuara të UÇK-së hetimi i rasteve nuk do të mund të kishte të bënte me strukturat e larta komanduese,si organe të tilla, por secili rast do të shqyrtohej në veçanti, duke pasur përgjegjësi konkrete.

Në Hagë tani ndodhen 8 pjestarë të UÇK-së, gjashtë nga të cilët të akuzuar për krijimin e një organizate të përbashkët kriminale. Hashim Thaçi , Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi gjatë luftës në Kosovë ishin në drejtuesit kryesorë politikë dhe ushtarakë, njerëz me ndikim dhe , në shumë raste, pikat kryesore të kontaktit të diplomacisë ndërkombëtare,në të gjitha instancat e larta të saj.

Akuza ndaj tyre është se , në funksionin që kishin, ata nuk ndaluan dhe nuk bënë përpjekje të ndalonin keqtrajtimet, arrestimet, burgosjet dhe vrasjet e ndodhura të supozuara nga pjestarë apo struktura të UÇK-së.
Është përsëritur shpesh herë, nga të gjithë faktorët politikë ndërkombëtarë se, gjykimi i akuzave të ngritura nga Dick Marty nuk ka të bëjë me luftën e UÇK-së, pasi ajo ka bërë luftë të drejtë, të domosdoshme dhe ka kthyer rezistencën pasive në një kryengritje të armatosur. Mirëpo, duhet pranuar se, është krejt e mundur që hetuesit dhe prokuroët në Hagë nuk e dinë këtë fakt domethënës, ose, në rastin më ë zbutur, nuk duan ta dinë.

Në gjykimin e Haredinajt, prokurori i çështjes, disa herë dhe me këmbëngulej pyeste direkt : A ka bërë krime Ushtria Çlirimtare e Kosovës?

Pavarësisht përgjigjen mohuese të Haredinajt, ai i rikthehej pyetjes së tij .Përsëri e përsëri.
Asnjëherë, në asnjë material zyrtar apo konfidencial, nga asnjë përsonalitet dhe strukturë ndërkombëtare nuk është hedhur asnjë lloj dyshimi se Gjykatat Speciale janë ngritur për të hetuar Ushtrisë Çlirimtare tëKosovës si strukturë e njësuar, por vetëm krimet e supozuara nga luftëtarë të ndryshëm.

Atëherë, përse, me kaq ngulm dhe fanatizëm prokurori special kërkon të dijë nëse UÇK-ja ka bërë krime? Është nga vetja, apo e diktuar, e nëse po, nga kush? Përse ka një synim të vazhdueshëm për barazimin e krimit të forcave serbe me ata që i dolën për zot vendit të tyre?

Cila është përgjegjësia komanduese e të arrestuarëve nga lidershipi i UÇK-së?
Koha e hetimit dhe gjykimit i përket një periudhe të caktuar historike dhe kohore, kohë në të cilën fillon dhe përfundon lufta në Kosovë, së bashku me periudhën e drejtimit nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Kjo është e përcaktuar saktë dhe nuk lë vend për asnjë ekuivok, megjithëse hetuesit shpoesh herë kthehen pas në kohë, gjë që nuk është në të drejtën e tyre. Çfarë lidhje kanë gjyqet politike të vitit 1981 me luftën në Kosovë? Po ato të vitit 1989. Po gjykimet dhe dënimet e rënda të vitit 1997? Nga janë marrë dosje të tilla dhe cila është arsyeja?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duhet pranuar tashmë e vërteta, në marsin e vitit 1981 kishte në rradhët e saj rreth 200 pjestarë aktivë dhe qindra të tjerë që ishin të gatshëm për të rezistuar. Shembulli i familjes Jashari, në rrethimin e tyre të parë, 31 dhjetor 1991, sapo ishin kthyer nga Shqipëria, kur i gjithë Prekazi u mbush me shqiptarë të armatosur që shpejtuan të dalin në krah të Adem e Hamzë Jasharit, tregoi se njerëzit ishin të gatshëm dhe se kupa e durimit ishte mbushur.

Pas marsit të vitit 1998, rënies së 56 pjestarëve të Fisit Jashari, fryma e luftës dhe e kryengritjes popullore mori hapësira dhe përmasa të pazakonta. Brenda tre muajve, deri në mesin e qershorit, në rradhët e UÇK-së ishin rreth 34 mijë luftëtarë vullnetarë. Pra forca kryengritëse u rrit rreth 170 herë. Pavarësisht drejtimit politik dhe strukturave të krijuara në Shtabin e Përgjithshëm, kryengritësit ishin shpesh herë të vetëorganizuar, fillimisht në bazë fshati, pastaj në struktura të tjera, duke u krijuar fillimisht ato njësi që quheshin „ pika“, pastaj grupmet e para, për të kaluar në brigada dhe zona operative.

Ka qenë e pamundur, absolutisht e pamundur që e gjithë kjo rritje të mund të ishte nën kontroll, jo vetëm për Kosovën, në gjendje pushtimi absolut ushtarak, por edhe për një shtet të fuqishëm dhe të organizuar. Mijra vetë kalonin kufirin dhe prisnin me ditë dhe netë, nën qiell, duke ngrënë vetëm bukë dhe domate, për t’u armatosur dhe kthyer në Kosovë.

A mund të kontrolloheshin të gjithë këto njëherësh?

Po e marr të qenë verdiktin e prokurorisë speciale se në Kosovë, gjatë luftës, ka patur edhe krime. Edhe në ushtritë më të rregullta të botës, nën një kontroll të vetëm, me përvojë dhe organizim ka patur raste të krimeve të veçuara, dhe kjo nuk përjashtohet askush. Por në të gjitha rastet përgjegjësia ka qenë vetjake e kurrë e vendosur në majat më të larta komanduese. Në Kosovë, përsonat e shpallur nga Organet e Specializuara si pjesë e „Organizatës së përbashkët kriminale“ janë thuajse të gjithë drejtuesit kryesorë të zonave, brigadave, shtabeve, deri në shtabin e përgjithshëm dhe në Drejtorinë Politike të UÇK-së.

Prokuroria Speciale akuzon se krerët e arrestuar nuk bënë përpjekje , ose nuk ndaluan rastet e krimeve të supozuara dhe nuk i bënë thirrje luftëtarëve për vetëpërmbajtje.

Janë disa , ndoshta dhjetra komunikata dhe deklarata politike të Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike, shpërndarë përmes Radio Televizionit Publik Shqiptar , i vetmi medium i hapur për UÇK-në, që bënin thirrje për të mbajtur qëndrim dinjitoz dhe vetëpërmbajtje. Kjo e fundit ka qenë shumë e vështirë, duke pasur parasysh krimet e llahtarshme serbe. E, megjithatë, ka pasur këmbëngulej të bvazhdueshme për të saksionuar luftën drejt forcave ushtarake, të të gjitha niveleve, he, në asnjë rast kundër popullsisë civile, çfarëdo qofshin ato. Asnjë medium në Kosovë nuk ishte i lirë, të gjithë ndopdheshin nën dikatotin e pushtetit serb, dhe, për fat të keq, kishte edhe të tilla që jo krejt haptas, bashkëpunonin me regjimin e Beogradit. Kjo ndodh në çdo luftë dhe konflikt të armatosur, kur krahas atyre që kanë vendosur të luftojnë për vendin e tyre, ka edhe të attillë, natyrisht më të paktë, që duan të shesin vendlindjen. Me sa di unë, Kuislingu nuk ishte shqiptar i Kosovës.Dhe , këtë e di mirë!

Por, kush kishte nge në Kosovë, në pikun e luftës të dëgjonte dy orëshin e RTSH për diasporën, ku jepeshin edhe deklaratat politike? Në shumë shtëpi nuk kishte as njerëz dhe djegiet masive kishin detyruar njerëzit të dilnin në male. Në zonat e luftimit nuk kishte kohë për deklarata. Do të mjaftonin vetëm dëshmitë e mjekes Teuta Hadri, dhënë përmes ditarit të saj tronditës, „Krimi që pashë me sytë e mi“, për të kuptuar qoftë edhe një pjesë e asaj që ka ndodhur.

Në majin e vitit 1998, në intervistën e dhënë BBC, drejtuesi i shquar Fehmi Lladrovci, deklaron qartë që, le të japin serbët qoftë edhe një rast të burgosjeve apo dënimit të banorëve civilë serbë të Kosovës, por raste të tilla nuk kishte.

Në shkurtin e vitit 1999 strukturat serbe paraqitën para delegacionit të UÇK-së në Rambuje rastet e pesë civilëve serbë të zhdukur, dhe kjo ështëhera e parë e një sinjalizimi të tillë, dhe, nga këto pesë emra, dy prej tyre janë ende gjallë në Serbi.

Menjëherë pas luftës , kryeministrii Qeverisë së Përkohsshme, Hshim Thaçi , ë cilësinë e tij të dyfishtë, edhe si Drejtori Politik i UÇK-së iu drejtua të gjithë banorëve të Kosovës për vetpërmbajtje; popullsisë serbe, banuese në Kosovë i bëri thirrje të mos largohen, pasi do të kenë të drejta të barabarta. Deklarata e tij ngjalli revoltë fillimisht në shumë familje që kishin pjestarët e tyre të vrarë, të zhdukur, të pavarrosur, të masakruar.

Vetëm në muajin prill të këtij viti prokuroria ishte e detyruar të bënte publike një deklaratë të fortë të zotit Dani Everts, dhe kjo pas këmbënugljes së Mbrojtjes dhe të vetë ish Shfit të OSBE-së në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Askush nuk e di përse kjo deklaratë shfajsuese, nga njeriu që kishte qenë i pranishëm dhe e kishte parë luftën brenda në Kosovë, ishte mbajtur gjatë në sirtaret e hetuesve ndërkombëtarë!

Në deklaratën e tij, Evertsi ka thënë se aktivitetet e mundshme kriminale të kryera pas qershorit të 1999 në Kosovë ishin nga individë që synim kishin përfitimet personale, dhe asnjëherë nga strukturat udhëheqëse shqiptare.
“Sipas mendimit tim, ekzistonte një klimë e lejimit dhe mosndëshkimit që lejonte të ndodhin krime kundër pakicave, por edhe ndaj shqiptarëve. Në mendimin tim, këto vepra ishin të lejuara, por jo të drejtuara nga lart. Nuk mundem të shoh ndonjë arsye apo motiv pse Thaçi do të kishte dashur që UÇK-ja të angazhohej në dhunë etnike, pasi do të dëmtonte pozitën e tij ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, ka pasur një shkëputje mes krimeve dhe lidershipit shqiptar të Kosovës qendrore. As Thaçi dhe as Agim Çeku nuk ishin të fortë apo liderë kontrollues”, është thënë në deklaratën e Evertsi.

Më tutje, Evertsi ka thënë se Thaçi kishte bërë disa deklarata ku dënonte dhunën, por që problemi qëndronte tek transmetimi i këtyre deklaratave, pasur parasysh mungesën e mediave dhe instrumenteve kontrolluese shtetërore, siç është policia.

Atëherë kush dhe në emër të kujt po dënohet në Gjykatën Speciale, që , për ironi të fatit, quhet e Kosovës, por që në sfondin e saj nuk ka asnjë simbol të saj dhe, për më tepër, është institucioni më mos besues ndaj instiucioneve të sigurisë së Kosovës?

Në emër të kujt?

Në të vërtetë, cila strukturë, veç organit të specializuar, Prokurosisë së Posaçme, po përgatit dosjet e drejtuesve
të lartë të UÇK-së?

Deri më tani kjo është një enigmë e njohur.

Me 20 maj të këtij viti, pra dy javë më parë, Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar që të dijë nëse materialet shfajësuese që po nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar e kanë burimin te shërbimet sekrete apo te prokuroritë serbe.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, tha se ZPS-ja ka zyre në Beograd dhe kërkoi nga ky institucion që të tregojë se cilat materiale shfajësuese i ka marrë nga Serbia.

“Të gjitha dokumentet e nxjerra nga serbët duhet të na i japin neve”, kërkoi ai.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson, saktësoii se shërbimet sekrete serbe edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, kanë ndërhyrë në dëshmi, duke i ndryshuar ato dhe kanë kanosur dëshmitarët.

Avokatët e mbrojtjes thanë se duan të dinë nëse marrja e materialeve nga Serbia do të cenojë besueshmërinë e Dhomave të Specializuara.

Është tronditëse ajo që ka deklaruar në gjyq Nasim Haradinaj, se në dosjet që janë hedhur në ndertesën e tyre, ka parë edhe gjykime serbe të vitit 1981, të cilat u bënë pjesë e dosjeve të mëtejshme hetimore.

„ Askush nuk është i interesuar të mbrojë krimin, por nuk duhet të bëhet në mënyrë selektive. Nuk duhet të shkosh atje, në Beograd, të flasësh me kriminelë serbë dhe të vish në Kosovë e të kërkosh fajtorë”,ka deklaruar ai.

Është dyshues fakti që nga drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka pasur raste , të cilat, në vete, kanë mbjellë dyshimin se dikush , atje në sistem, kërkonte domosdo dënime, qofshin edhe politike, pasi, në të kundërtën, misioni mund të dështonte, dhe, bashkë me to, edhe rritja administrative dhe financiare e këtyre strukturave.
Në emër të kërkimit me çdo kusht të fajtorëve, sidomos në rradhët e UÇK-së shumë njerëz janë mbajtur në paraburgim me vite dhe, pas gjykimit, janë shpallur të pafajshëm.

12 vetë njëherësh, të gjithë pjesë e rradhëve të UÇK-së, qëndruan gati tri vite në paraburgim, pikërisht nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë, që mund të jenë tani në Hagë, në organet e specializuara, dhe, pas tri viteve, të gjithë, u shpallën të pafajshëm.

Një tjetër veteran, Skender Halili, pasi u akuzua si nxitësi krseor, organizatori kryesor, që barte qëlimin e një vrasje makabre, si hakmarrje ndaj vrasjes së vllezërve të tij gjatë luftës, pas 6 viteve në paraburgim, si rrjedhojë e një dëshmitari të rremë, u gjet i pafajshëm. Po gjashtë vitet e jetës së tij? Po 36 vitet e jetës së të tjerëve? Po zhdukja e provave në rastin „ Kiçina“, ku , si për „ magji“ provat sfajsuese, si gjurmët e gishtërinjve, fakti që nuk kishte mbetje të ekspozivit të barutit, të ADN-së, të provave materiale të gjetura në vendngjarje, dëshmitë e policëve të Kosovës, që kishin qenë me të akuzuarit, 20 dëshmi të tera, mes tyre edhe të të afërmve të viktimave, të gjitha u zhdukën, kur çelsin e kishte vetëm një përson, Gary Estrich, polic i UNMIK-ut? Po dëshmia e Blerim Kiçinës se, hetimi i tij ishte bërë pa avokat, në kushte presioni dhe të premtimit për identitet tjetër dhe jetë të re në Britaninë e Madhe?

Dyshimi se gjërat mund të përsëriten është gjithnjë therës!

Çfarë motivi mund të kishte pasur Thaçi, Veseli, Selimi apo Krasniqi të lejonin qëllimisht krime të organizuara gjatë luftës a, po pas saj ?

Në maj të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm dhe Kryesia e Lëvizjes Popullore të Kosovës, në bashkërendim, bënë të njohur thirrjen kryesore të luftës, se „ Askush nuk është i vonuar, askush nuk është i tepërt“, si një thirrje për mobilizim të përgjithshëm, pa patur ndarje politike apo fisnore. Për ideologji as nuk mund të flitet në kohën e luftës. Për më tepër, organizatat politike ndaluan veprimtarinë e tyre në rradhët e UÇK-së.

Çfarë do i interesonte Thaçit , apo të tjerëve, hapja e një fronti brenda vetes? A nuk ishte e mjaftueshme ajo që po ndodhte në frontin e luftës? Thaçi sidomos, ka pasur gjithnjë stofin e njeriut të politikës, ai e ka mbajtu veten gjithnjë larg rrëmetit të përplasjeve dhe nuk ishte i pranishëm në debatet e zhvilluara. Më shumë se të tjerët, ai ka menduar për të ardhmen politike, duke pasur të qartë synimin e krijimit të shtetit të Kosovës, ku ai vetë do të kishte rolin dhe pozicionin e tij. Njerëzit , për të cilët akuzohet se janë mbajtur të burgosur, janë keqtrajtuar ose janë vrarë nuk përbënin asnjë rrezik për jetën e tij politike, pasi ai kishte dy rrugë para vetes: nëse lufta do të fitohej, ai do të ishte njëri ndër faktorët vendimtarë: nëse lufta do të humbej, ai nuk do të ishte askush.

Kjo është edhe për të tjerët, aq më tepër që, Jakup Krasniqi kishte qenë shumë vite burgim të të rëndë në Serbi, ndërsa Thaçi ishte dënuar me 10 vite në mungesë, si pjesë e Grupit të Drenicës.

Atëherë kush po gjykohet? Ata që ishin pjesë e mbrojtjes së popullit të tyre, në një luftë të drejtë dhe të domosdoshme, apo ata që vranë, po aq barbarisht sa po ndodh aktualisht në Ukrainë?

Mesazhi i këtyre dënimeve është i qartë: Gjykata Speciale do të tentojë ta ndryshojë narrativën për çlirimin e Kosovës.Kjo nuk ka filluar që nga shtatori i vitit 2020, por shumë me heret. Ka pasur një mendësi, që tani ka shenja të përshfaqet edhe në Hagë, se dënimi i ish drejtuesve të UÇK-së është një faktor për të patur edhe më tej një rugë të suksessshme. Aq më tepër që, në disa raste, hetuesit, prokurorët e gjyqtarët e tanishëm, janë po ato që morën pjesë në hetimin dhe gjykimin e rasteve Ramush haradinaj dhe Fatmir Limaj.Duhet inkriminuar lufta çlirimtare. Për atë arsye janë nxjerrë ato dokumente në publik, pra, të shfrytëzohen për inkriminimin e luftës çlirimtare. Po ashtu kjo lojë është përdorë për ta ngulfatë lirinë e medies.

Gjërat duhet shtruar më tej se kaq : këto dënime po e përgatisin terrenin për dënimin e figurave drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bashkë me ta edhe dënimin e historisë së luftës çlirimtare. Pse? Demek, për ta shtruar terrenin për pajtim ndërmjet Kosovës e Serbisë, ku të dyja palët do të konsiderohen fajtore për luftën e viteve 1998-1999. (Lista e drejtuesve të akuzuar të UÇK-së është bukur identike me listën e kreut shtetëror të Serbisë, të cilët janë gjykuar e dënuar në Tribunalin Penal të Hagës, për krimet që kanë kryer në Kosovë!)

A do të ndodhë kështu?
Zyra e Prokurorit të Specializuar synon të mbështetet në 326 dëshmitarë në përputhje me listën e saj të dëshmitarëve, duke përfshirë: 261 dëshmitarë me dëshmi të drejtpërdrejta me rreth 1 mijë e 863 orë të dëgjimit, dhe 65 dëshmitarë përmes dëshmive me shkrim, nga të cilët 26 janë të vdekur.
Se si do të dëshmojnë të vdekurit, këtë askush nuk e di.

Gjykimet e tanishme a do të sjellin një zbutje të konfliktit , edhe ashtu të pa zënë vend, mes Kosovës dhe Serbisë? Mos e gjithë kjo ka të bëjë me hapjen e një linje politike të dënimit të drejtuesve të UÇK-së, si kompromis ndaj shtetit serb?

Është e vështirë të ndodhë kështu! Mund të ndodhë krejt e kundërta. Sado naive të jetë drejtësia e tanishme ajo duhet të kuptojë se synimet naive dhe foshnjore të tyre mund të bëjnë Serbinë, strukturat e saj, edhe më agresive, do të ringritë synimet për rritjen e konfliktit, me pretendimin për risundimin e Kosovës, ose ndarjen e saj.
Mos ndodhtë kurrë ajo që ka deklaruar haptas ish gjyqtari ndërkombëtar Simmons :

„ Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime.” Madje ai tha që puna ime mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Gjyqtari Charles Smith tani është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës.“
Mos dodhtë kurrë që misioni i Dhomave të Specializuara të varet nga dënimet, edhe të pajustifikuara, që puna e tyre të rrezikohej nga mos dënimet, pra , si një detyrim që të akuzuarit të dënohen, domosdo, qoftë edhe për arsye politike.

Mos ndodhtë kurrë!/ GazetaDita

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit