Nga sociologu Gëzim Tushi për “5pyetjet.al”
Shoqëria shqiptare ka tre dekada që kalon një proces të gjërë turbulence politike, sociale, ekonomike dhe shypirtërore. Dukuri të reja, fenomene sociale atipike, të panjohura dhe të anatemuara më parë si gjëra të kundërnatyrshme, të papërshtatshme për “shëndetin social” të njeriut “mekanik” dhe shëndetin e shoqërisë superkolektiviste. Kalimi nga shoqëria totalitare në shoqërinë liberale, nga qytetërimi mekanik në atë organic, nga njeriu i “ri” dogmatik në shoqërinë e sotme liberale dhe njeriun individualist, është një revolucion i vërtetë social, i cili nuk mund të kalojë pa kuptime të cekta empirike, gjykime sempliste e paragjykime nostalgjike.
Unë besoj se në tre dekada ka ndodhur një evolucion i gjërë social, i shoqëruar me kapërximin nga shoqëria tradicionale, totalitare e paternaliste në këtë shoqëri ku gjërat kanë ndryshuar, shumë nga parimet e vjetra morale janë përmbysur, sistemi I vlerave dhe piketave orientuese ka ndryshuar radikalisht. Jetojmë në një shoqëri të re, me staturë postmoderne, në të cilën jeton pikërisht ky njeriu I sotëm. Natyrisht është krejt e natyrshme që në shoqërinë shqiptare është ravijëzuar dhe acaruar së tepërmi kontradikta, midis “strukturës së brendëshme” të individit dhe kërkesave normative të strukturës sociale të shoqërisë. Në shoqëri të tilla akoma në tranzicion moral, nuk është e lehtë, madje është vështirë për të interpretuar me elokuencë teorike sociologjike, ca më tepër për të gjetur “çelsat” e duhur për të dhënë zgjidhje të sigurta empirike të kësaj kontradikte, e cila në ditët tona është bërë thelbësore.
Sepse procesi i liberalizimit të jetës, shoqëruar nga theksimi maksimal i prirjeve dhe dominimi ndjenjave individualiste, përmes synimeve të personalizuara të individit, ka krijuar një “hendek në zgjerim”, tejet të dukshëm, shqetësues të raportit thelbësor midis nevojave, ndjenjave, qëllimeve, qëndrimeve diverse, kuptimeve, vlerave që janë thelbësore për për përcaktimin determinant të “strukturës së brendshme” të sjelljeve të njeriut, në raport dhe përballë me kërkesat imperative e normative që sjellin para tij institucionet, familja, shoqëria, kultura, normat sociale të nevojshme, si paradigma të përbashkëta të sjelljes apo domosdoshmëria e respektimit të vlerave shoqërore të pranuara konsensualisht.
Kjo kontradiktë në zgjerim është arsyeja pse kemi një gjëndje sociale të turbulluar ontologjikisht dhe ekzistencialisht në shoqërinë tonë. Një gjëndje paradoksale, shqetësuese për mënyrën si funksionon “matrica” e lidhjeve, midis situatës së përgjithshme “likuide”, parametrave në ndryshim të jetës sociale nga njëra anë, dhe papërcaktueshmërisë, paqëndrueshmërisë së personalitetit të njeriut që shpesh herë shfaqet me natyrë egoiste, asociale, ekstremisht individualiste.
“Matrica” që ushqen filozofinë e individualizmit, po bëhet vërtetë sunduese, me efekte kontradiktore në lidhjet e individit me shoqërinë. Shpërbërja e jetës kolektive e supersociale, krahas të mirave të padyshimta, ka sjellë shumë anomali kalimtare, që nuk po e lënë njeriun të qetë të “gjejë veten”, të kap në momentin e duhur orientimin social adekuat, që e lidh organikisht me të “tjerët” dhe mbi të gjitha me “matricën e shoqërisë”. Padyshim në periudha të tilla të zhvillimeve tranzitive eruptive, sikurse janë zhvillimet postmoderne në shoqërinë shqiptare, gjërat janë vështirë të stabilizohen ekzistencialisht.
Sepse jemi në një epokë të re sociale, kur janë duke ndryshuar dhe transformuar, si “identiteti vetjak” i individit edhe “identiteti kolektiv” i shoqërisë. Kjo ka sjell këtë kompleksitet shqetësues midis lidhjeve interpersonale, ndërnjerëzore, e sociale. Ky realitet paradoksal tashmë nuk është në përmasa të vogla, që duhet vlerësuar me dimensionet e ngushta të “eksperimentit social”. Sepse realisht janë duke ndryshuar dy strukturat kryesore që janë në bazë të jetës, struktura sociale të shoqërisë dhe ajo individuale, e sintetizuar në thelbin e transformuar të personalitetit të njeriut. Në këto kushte, nuk jemi para një “eksperimenti që mund të bëhet në epruvetë sociale”, por përballë një revolucioni social që ka sjellë “përmbysjen” e “matrices” së lidhjeve individuale dhe marrëdhënieve sociale.
Kjo duhet njohur si e vërtetë integrale. Sepse është shoqëria ka vënë përballë njeriut realitete të ndryshuara radikalisht nga përfytyrimi i tyre i dikurshëm, madje në disa aspekte realisht të deformuara nga pikëpamja sociale. Kuptimi i esencës së jetës moderne, ekonomisë së tregut, dobësimit të strukturave të shoqërisë, tretjes së humanizmit, zbehjes së solidaritetit familjar dhe komunitar, kanë rëndësi thelbësore për orientimin vital të njeriut, në mënyrë që ai të kuptojë të vërtetat, të superojë mbi to dhe të sigurojë suksesin e vet individual.
Ka shumë shkaqe që në kuptimin social, moral dhe material, kanë ndikuar në në thellimin e përmasave të tjetërsimit të shoqërisë dhe njeriut (jo në kuptimin marksist por ekzistencialist), që kanë sjellë ndryshimin gati të plotë të karakterit, natyrës së njeriut. Ndaj jemi në kushtet kur “matrica e shoqërisë” duket jo stabile, neurotike, kaotike, e përbërë nga njerëz të shpërndarë në një habitatin e një “shoqërie të papërqëndruar” nga pikëpamja sociale. Këto kanë sjellë ndryshime jo vetëm në “situtën sociale” por edhe “strukturën e personalitetit” të individit.
Këto realitete sinkretike sociale dhe individuale, janë jo vetëm fakt empirik, por një realitet gjithpërfshirës shumëdimensional, që duhet njohur dhe pranuar si fakt konkret, i vërtetë, teorikisht dhe sociologjikisht i padyshimtë. Kjo është arsyeja pse jemi në kushte të tilla, kur përballemi përditë me njerëz të shqetësuar, ekzistencialisht të “pastabilizuar”, që nuk kuptojnë “matricën” e re të lidhjeve midis “strukturës së ndryshuar” të shoqërisë dhe natyrës së transformuar të individit. Një situatë kur njeriu është përballë, nga njëra anë me kundërthëniet e shoqërisë, në anën tjetër, me kundërthëniet dhe kontradiktat që zhvillohen me intensitet dhe paqartësi “brenda vetes”.
E vlerësuar sociologjikisht në përmasat dhe dimensionet e saj, kjo kontradiktë është faktori që ndikon, që njerëzit të kenë vështirësi në stabilitetin ontologjik si qënie dhe për pasojë, e kanë vështirë të gjejnë orientimin e duhur social. Kryesisht për shkak të moskuptimit ndryshimeve, midis të vërtetave sociale dhe nevojave për ndryshime adekuate të sjelljes individuale. Për të shpjeguar këtë situatë kalimtare (por që nuk dihet sa do zgjasë), është e nevojshme të vlerësojmë disa faktorë e shkaqe, që janë përtej asaj “që duket”, që janë thelbësore, ontologjike, të lidhura më historinë, kulturën, zakonet, traditat e tipologjinë e institucioneve tona sociale dhe të edukimit.
Shumë paqartësi në jetën tonë, janë të lidhura me faktin se ndërtimin e shoqërisë demokratike, e filluam pa praninë as të vlerave fillestare të njeriut me kulturë demokratike (ky është “njeriu jodemokratik” do thonin sociologët e postmodernitetit), i cili ka qënë nën ndikimin determinant të shoqërisë totalitare, influencat edukative të familjes tradicionale, autoritare e paternaliste, nën trysninë paralele të ideologjisë së vjetër, institucioneve represive të saj.
Individi u detyrua me “dhunë” të përshtatet, të pësojë një proces tragjik tjetërsimi, duke u shfaqur pa unitetin e duhur dhe formatin social të “njeriut demokratik”, Ne e filluam ndërtimin e shoqërisë demokratike, pa patur “materialin e duhur” njerëzor paraprak, por me njeriun me “strukturë skizmatike”, që e ka të vëshirë gjetjen e unitetit dhe ekuilibrit organik midis vetes dhe shoqërisë, koherencën e unitetit vital ndërmjet “Unë” dhe “Ne”.
Në këto kushte njerëzit nuk po sigurojnë dot stabilitet ekzistencial, karakter të qëndrueshëm, në përpjekjen e tyre për t’u përshtatur me “veten”, kohën, të “tjerët” dhe shoqërinë. Nuk jemi akoma afër standarit të “njeriut demokratik”. Situata sociale që zhvillohet në Shqipëri, e vlerësuar nga pikëpamja sociale, e interpretuar sociologjikisht vërteton se shoqëria dhe njerëzit tanë nuk kanë dalë akoma plotësisht, nga etapa e ende pambyllur e kapërximit të paradigmës së ndryshimeve sociale e njerëzore të dobishme, të domosdoshme, për të mbyllur plotësisht “tranzicionin strukturor” në lidhjet individ-shoqëri.
Në se vlerësojmë sociologjikisht patologjitë sociale, utopitë, iluzionet që kanë njerëzit, sidomos “skizmën” apo më saktë mungesën e kuptimit të thelbit radikalisht të ndryshuar të marrëdhënieve individ-shoqëri, të duket se akoma jemi në një fazë, e cila këto marrëdhënie si tipologji nuk i ka të mbështetura, as në traditën sociale të së kaluarës, as në kornizat individualiste e liberale të postmodernitetit.
Kjo paqëndrueshmëri, ky instabilitet social e ka bërë shoqërinë terren social të “rrëshqitshëm”, marramendës, i cili është faktori bazë që nuk po lejon që njerëzit të kenë stabilitetin e duhur ekzistencial, të shoqëruar me vizionin e qartë e të sigurt të personalitetit individual. Njeriun që komportohet me shoqërinë me parametra standarte të sjelljes, mizura etike utilitare të vlerësimit të duhur të ndryshimeve pozitive dhe deformimeve të dukshme, që po pësojnë paralelisht natyra sinkretike e shoqërisë dhe “dimensioni i njeriut”. Ky është dimensioni që determinon raportet e reja të njeriut me shoqërinë shqiptare. Nuk ka pse bëjmë “shpikje të sforcuara”. Në fund të fundit kjo është shoqëria, por ky është edhe njeriu. Problemi është që shoqëria dhe njerëzit të “jenë ata që duhet të jenë”. Kjo është sfida e kohës sonë.
Por nga ana tjetër është fare evident fakti që si shoqëri jemi në një moment të vështirë ekzistencial, kur raportet midis sfidave të saj dhe përpjekjeve të individt për t’i përballuar ato janë bërë tejet delicate. Përditë takojmë njerëz që ankohen për të “tjerët” për shoqërinë dhe faktorë të tjerë të jashtëm, si shkaktarë për situatat që ata kalojnë, dështimet që pësojnë, ngërçet që përjetojnë. Po si shpjegohet kjo situatë e raporteve midis shoqërisë dhe individit? Ku është shkaku i gjithë këtij neurotizmi social, dëshpërimi e pesimizmi individual, cili është raporti i përgjegjësive midis tyre dhe pse njerëzit shpesh bëjnë shjegime të gabuara apo interpretime të sforcuara?
Nuk mund të mos merret në konsideratë fakti, që në shoqërinë shqiptare në këto tre dekada ka ndodhur një revolucion tërësor social dhe human, proces i cili është shoqëruar me një përmbysje epokale të raporteve të vjetra midis esenecës së shoqërisë tradicionale dhe tipologjisë së transformuar radikalisht të thelbit dhe formave të lidhjeve sociale, bazuar në marrëdhëniet krejt të reja të saj me individin. Të gjitha zhvillimet, fenomenologjia sociale e transformuar thelbësisht tregojnë se shoqëria shqiptare, si kurrë më parë është bërë më komplekse, shumë dinamike dhe më e ndërlikuar në raport me “shoqërinë e rrafshët”, marrëdhëniet njëdimensionale, trajtat e lidhjeve mekaniciste e të determinuara të kohës së jetës kolektive dhe shoqërisë socialiste. Realiteti aktual paraqitet me ndryshime radikale në raportet e reja sociale, sidomos në pozicionet e ndryshuara të njeriut me të.
Nuk është fjala për të bërë këtë konstatim në rrafshin sociologjik, por për të kuptuar dhe nxjerrë konkluzione me vlerë jetike për jetën e përditshme, si kusht për të stabilizuar normalitetin e ri të jetës sociale. E cila në mënyrë evidente është në “krizë”, pikërisht nga që e ka të nevojshme, madje të domosdoshme nevojën e ekzistencës së “shenjuesve të rinj”, për të bërë të mundur që njeriu të bëjë dallimin social midis vetes së vërtetë, vetes sociale, duke dalluar pozicionin e tij në raport me shoqërinë. Që nuk është thjesht artificiale. Kjo sepse jetojmë në një shoqëri postmoderne, e cila, jo vetëm e ka kapërxyer “vellon” e vjetër sociale por edhe është në fazën vendimtare të ndryshimeve ontologjike, duke sfiduar hapur normat morale e lidhjet sociale tipike kolektiviste.
Sepse kjo shoqëri është formatuar e tillë, e mbështetur tek individualizmi, egoizmi, ambicja, zilia individuale. Për pasojë të gjitha këto e kanë bërë sinqeritetin dhe komunikimin e individit me shoqërinë shumë delikat, shpesh herë të paqëndrueshëm e të dyshimtë. Shqetësimet e njerëzve tanë në jetën e sotme sociale, problemet me të cilat përballen, të vlerësuara në kuintesencën e tyre janë tregues të faktit, që jeta e sotme i ka bërë raportet e njeriut me shoqërinë në shumë aspekte të vështira. Njerëzit janë të tronditur, të shqetësuar, në anlkth për të gjetur kuptimin e jetës, për të kuptuar dhe përshtatur me logjikën ekzistenciale të fenomeneve sociale dhe gjërave individuale. Sidomos me mundësinë e kufizuar, për të patur parashikime të sakta dhe gjetur mjetet e duhura për orientimin e dobishëm të jetës personale.
Si kurrë më parë nuk kanë qënë kaq të ndërlikuara raportet e njeriut me “veten” dhe kontekstin social në të cilin jeton. Sepse raportet e njeriut me jetën sociale janë bërë tejet të lëkundura, dhe sepse vetë jeta dhe raportet publike të njeriut vërtiten kaotikisht, pa piketa të sigurta orientimi, në një gjëndje relativiteti midis të vërtetës individuale dhe gënjeshtrës sociale, nga që jetojmë në një shoqëri që është në kapërxyell dhe ndodhet përballë akumulimeve të kohës postmoderne dhe linearitetit të “aktualitetit të vazhduar”. Kjo është arsyeja pse sociologët mendojnë se kjo shoqëri postmoderne, ka më shumë qejf jonormalen, të pariturën. Që t’i shpëtosh atyre, duhet të bëhesh i zoti të zotërosh veten.
Kjo situatë është edhe tek ne, kemi tre dekada që përballemi me një shoqëri, natyra e të cilës është e paqëndrueshme, me vlera relative morale e sociale, që më shumë ushqen pragmatizmin individual, utilitarizmin personal. Lidhjet e njeriut me të nuk janë stabile, por më së shumti dinamike e të paqëndrueshme. Kjo ka sjellë si pasojë në mënyrë evidente, një lloj krize të zgjeruar individuale që shfaqet në vështirësitë që kanë shumë njerëz për të siguruar adoptimin e duhur social.
Ne duhet të shqetësohemi që këkojmë të kemi një shoqëri të vartësisë personale për gjerat që janë jashtë dëshirave të njeriut si person. Shoqëria shqiptare është bërë me shumë befasi, paqartësi e pasiguri, nga që në jetën e saj janë shtuar dhe madje janë bërë tejet të fuqishme një sasi e konsiderueshme e patologjive sociale, të cilat kërcënojnë lirinë dhe siguritë e njeriut.
Madje sikurse duket, sa më shumë demokratike bëhet shoqëria, sa më i lirë bëhet njeriu, aq më shumë shtohen rreziqet e manipulimit social, aq më të shumta dhe të pranishme janë mekanizmat, mjetet që e bëjnë njeriun po aq të lirë sa dhe të epshëm, të nënshtruar ndaj “ndikimeve” befasuese e të papritura të shoqërisë moderne. Është bërë sintagmë e zakonshme në jetën tonë të përditshme, të thuhet se shoqëria shqiptare gjithnjë e më shumë po dehumanizohet, asocializohet dhe desolidarizohet. Kjo është arsyeja pse shumë sociologë, me pesimizëm të shfaqur, mendojnë se shoqëria po bëhet gjithnjë e më shumë shoqëri që i ngre “kuthe”, i bën “hile” njeriut.
Sidoqoftë, pavarësisht termave që përdoren për të karakterizuar tipologjinë sociale, fenomenologjinë e shfaqjes së dukurive komplekse, një gjë është e qartë, shoqëria që jetojmë sot nuk është ajo që ishte dje. As si strukturë, ontologji e format social. Ndryshimi është i thellë është thelbësor. Problemi është a mund të quhet shoqëri, ajo ku secili mendon vetem për vete dhe me mendjen e vet, kur nuk ka më çimento sociale që mban të lidhur njerëzit, që do të thotë se nuk ka aq sa duhet lidhje sociale, morale, humane.
Në esencë ndryshimi që ka ndodhur në shoqërinë tonë, është i lidhur pikërisht me raportet e “përmbysura” të individit me shoqërinë. Kemi kaluar “rubikonin e vjetër”, sipas paradigmës “shoqëria përpara dhe individi pas”, në shoqërinë që tenton të vendosë “individin në krye”. Mbase situata që jetojmë mund të konsiderohet si një “etapë kalimtare” e kalimit të përshpejtuar nga shoqëria e dikurshme supersociale me “vizion utopik”, në një shoqëri të re, por me shumë pak “vizion social”. Padyshim dallimet janë thelbësore sepse nuk ka fare të krahasuar shoqëria e dikurshme shqiptare, që më shumë ishte një “dekor konvencional” për inkuadrimin e njeriut në turma sociale të renditura e të disiplinuara, në një shoqëri e cila ka një “algjebër” dhe “gjeometri” tejet të ndryshuar.
Njeriu i shoqërisë tradicionale, ishte ai që vdiste atje ku lindte, nuk mund të ndryshonte profesion, konturet e klasës apo shtresës që i takonte. Në fakt kjo nuk ishte “shoqëri e madhe” por shoqëri që e mbajti individin jo vetëm “jashtë vetes” por dhe të shtypur nga faktorët politikë e socialë. Tani kemi hyrë në një shoqëri në të cilën gjërat po zhvillohen ndryshe dhe njeriu vështirë të “vdesë aty ku ka lindur”, e ka më të lehtë të ndërroj profesion, banimi, statusin social, martesën etj. Megjithatë kjo shoqëri e befasive të shpeshta, të papritëurës, të paparashikuarës po shoqërohet me negacionet e saj, pikërisht ngaqë njeriu duke qënë gjithnjë e më i lirë nga shoqëria e ka më të lehtë të shpërfill traditën, rregullat morale, duke nëpërkembur moralin dhe disiplinën sociale.
Kemi kaluar nga dimensioni i ngurtë ideologjik e social, në shoqërinë që shfaqet pa dimension social, me shfaqje të theksuara të anomisë, agresivitetit, dhunës, etj. Kjo shoqëri është me “reze të ngushtë sociale”, pasojë e zhvillimit të një revolucioni të përshpejtuar urban, që solli modalitete të reja për konceptimin modern të socialitetit dhe sociabilitetit njerëzor. Proceset janë të përshpejtuara, inercia e mbeturinave të “gjigandizmit social” që shfaqeshin në vitet e para të tranzicionit, tani janë duke u zbehur gjithnjë e më shumë. Në këto kushte në një shoqëri me dimension dhe rreze sociale të kufizuar, me solidaritet të “holluar” njeriu nuk ka më mundësi të jetojë me mendjelehtësi personale apo akoma më keq duke shpresuar për të gjetur “përgjigje të lehta” në këtë shoqëri.
Ndaj është mirë që t’i mësojmë njerëzit, sidomos të rinjtë me rregullat, standartet likuide, vlerat relativiste, të paqëndrueshme të shoqërisë postmoderne, e cila po e detyron njeriun ta gjejë vetë “busullën e orientimit”, të rritë forcat, energjitë individuale, duke ju përgjigjur me shpejtësi, efikasitet, në mënyrë adekuate “pyetjeve të rinovuara” të kësja shoqërie. Që janë krejt të tjera. Pothuaj nuk kanë fare ngjajshmëri me ato të shoqërisë së dikurshme…/Gëzim TUSHI, sociolog-Mjeshtër i Madh