Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes një postimi në Facebook ka treguar se ka takuar deputetin e Bunderstagut, Peter Beyer dhe ka deklaruar se është me rëndësi marrja e një vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Ai është shprehur se përkushtimi gjerman ndaj Shqipërisë meriton vlerësim të veçantë.
Reagimi i presidentit Meta
Kënaqësi të takohesha sot me z.Peter Beyer, deputet dhe njëkohësisht kryeraportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman.
E falenderova për angazhimin e madh dhe të sinqertë që ka patur Grupi Parlamentar i CDU/CSU, si dhe në tërësi Bundestagu gjerman për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Përkushtimi i tyre për të mbështetur demokracinë e vërtetë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri si element përcaktues në procesin tonë të anëtarësimit në BE meriton vlerësim të veçantë, duke i shërbyer plotësisht qëllimit për të arritur transformimin e vendit drejt standardeve europiane.
Theksova gjithashtu rëndësinë që ka marrja e një vendimi sa më parë për nisjen e negociatave të anëtarësimit, me rëndësi strategjike për politikën e zgjerimit dhe për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.