Qeveria e miratoi kalimin e Parkut të Butrintit të fondacioni shqiptaro-amerikan, por PD nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi në pritje të vendimit të Presidentit Ilir Meta me shpresë për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim.
Deputetja Ina Zhupa thirri sot në interpelancë ministren e Kulturës, Elva Margariti duke e akuzuar se po e dorëzojnë pasurinë kombëtare në dorë të katër njerëzve dhe një fondacioni të huaj që sipas saj do të bëjë ndërtime brenda zonës së mbrojtur.
Më tej deputetja tha se Butrinti u dha me konsesion se administrata ishte e paaftë dhe e politizuar dhe i drejtori pyetjen ministres, pse nuk jepet dhe Ministria e Kulturës?
“Fondacioni ka 4 individë privat dhe vetëm ministren e Kulturës dhe pse aty del me emër si Elva Margariti. Cili duhet të jetë raporti që duhet të ketë administrimit si vlerë kulturore dhe si mjet biznesi.
Si ka mundësi që shteti jonë heq dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe këto ia dorëzon një privati, si ka mundësi që ministria e Kulturës del dhe thotë se administrimi ka dështuar për shkak të politizimit dhe paaftësisë së administratës, këto janë argumentet e Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë.
Pse nuk ndryshojnë procedurat në lidhje me administrimit duke vendosur profesionist të administratës, me arkeolog, ekspertë, nëse kriteret janë këto, atëherë institucioni i parë është vetë ministria e Kulturës sepse i plotëson 2 standardet, le të votojmë që të japim me koncesion ministrinë, le ta administrojë Fondi Shqiptaro amerikan apo ndonjë fond tjetër. Gjykata Kushtetuese do t’ua rrëzojë” tha ajo.