Moti i keq këtë të enjte ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike në Tiranë.
Mësohet se zonat “Bulevardi “Bajram Curri”, “Zhan Dark”, rruga e Kavajës, rruga “Myslym Shyri” etj. ka mbetur pa energji elektrike.
Nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë defekt elektrik dhe se deri kur mund të zgjasë si situatë.
Njoftimi:
Me kërkesë të Policisë (salla operative), për shkak të daljes së lumit Lana nga shtrati, OSSH stakoi 3 fidera të NS Selitë, si masë sigurie.
Këto linja furnizojnë pjesërisht zonat “Bulevardi “Bajram Curri”, “Zhan Dark”, rruga e Kavajës, rruga “Myslym Shyri” etj.
Pas verifikimeve në terren për prani të ujit në kabina, ekipet e OSSH rikthyen pas 25 minutave energjinë elektrike për 2 fiderat.
Aktualisht po i japim gradualisht energji zonave të prekura nga masa e sigurisë deri në rikthimin e plotë të energjisë në të gjitha zonat.
Orët e fundit vendi është përfshirë nga reshje intensive shiu, shkarkesa elektrike dhe shtrëngata.
Sinoptikanët parashikojnë se reshjet do të zgjasin deri të premten, kryesisht në veri të vendit, ndërsa përmirësimi i motit do të nisë në fundjavë.
Në shumë zona si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Mamurras dhe Gramsh uji ka pushtuar rrugët për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve të shiut.
Rrebeshet e shiut kanë vështirësuar trafikun në kryeqytet, gjithashtu dhe lumi Lana ka dalë nga shtati.