Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi, Dritan Abazoviç prezantuan dje projektin e urës së re Velipojë -Ulqin mbi lumin Bunë. Por opozita sot në Kuvend u pozicionuar kundër. Deputetja Jorida Tabaku tha se kjo nismë e nxjerr Shkodrën jashtë loje duke avantazhuar Malin e Zi.
“Ura e Bunës është një projekt që e lë komplet Shkodrën jashtë vëmendjes, i heq të gjitha atraksionet dhe çdo gjë e Shkodrës del në plan të dytë. Në plan të parë vendoset cdo gjë e Malit të Zi”, tha Tabaku.
Kryeministri malazez Dritan Abazoviç dje u shpreh i lumtur për projektin. Sipas tij ndërtimi i kësaj ure do të sjellë zhvillim për të dy qytetet në dy anët e Bunës. “Jam shumë i lumtur për këtë projekt. E kemi diskutuar në Tiranë verën e kaluar dhe tani jemi shumë pranë fillimit të punës konkrete.
Kjo zonë mund të jetë një zonë shumë tërheqëse turistike në të ardhmen. Do të jetë njësoj për turistët siç shkojmë ne në pjesë të tjera të Evropës. Kjo do ta lehtësojë shumë qasjen e turistëve. Kjo është mënyra sesi ne mund ta zgjidhim problemin e trafikut pranë Shkodrës. Do të jetë shumë mirë.
E thjeshtë. Është shumë irracionale që dikush nuk e ka bërë më parë. me këtë urë do të kemi shumë efekte pozitive në të dyja anët dhe ndërlidhshmëria midis dy vendeve të jetë e madhe. Ura dëshmon që nuk jemi vetëm Ballkan i Hapur, por në një fazë e re. Kjo është një urë që do të përdoret nga shumë njerëz që do të vizitojnë dy vendet tona”, u shpreh Abazoviç.