Aleksandër Sadikaj 27 vjeç lindur në Berat dhe banues së fundi në Tiranë ndërroi jetë sot, pasi u vra me atentat me bombë te telekomanduar në Sauk teksa ishte duke lëvizur me makinë nga Tirana në drejtim të Elbasanit.
Si pasojë e plagëve, i riu vdiq në spital. Për momentin nuk ka asnjë të ndaluar lidhur me ngjarjen, por policia është duke hetuar në disa pista, pasi i riu ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vitet e fundit; drogë, vjedhje, plagosje, kundërshtim të policisë, etj.
Skeda kriminale e Aleksandër Sadikajt
٠Më 09.04.2011 është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat;
٠Më 30.04.2011 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
٠Më 31.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Më 23.08.2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër;
٠Më 29.05.2017 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
٠Më 09.07.2019 është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup.
Më datë 30.07.2019, për këtë ngjarje, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
٠Gjithashtu, për këtë shtetas, disponohen informacione në rrugë operative se kryente veprimtari kriminale edhe në fushën e narkotikëve.