Refuzimi i ftesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për intervistim, nga kushdo qoftë, nuk është gjë e ligjshme, thotë ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha.
Lista Serbe, partia udhëheqëse serbe e Kosovës, ka konfirmuar më 9 qershor se zyrtarët e saj të lartë i kanë refuzuar ftesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për t’u marrë në pyetje.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj prokurorie me pyetjen se cilat janë procedurat dhe hapat ligjorë, që pasojnë rastet kur ftesa e saj për intervistim refuzohet, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje. Prokuroria nuk ka dalë as vetë me ndonjë njoftim për ftesat e pretenduara për intervistim.
Duke folur për REL-in, ish-prokurori Hoxha shpjegon:
“Nëse ftesa refuzohet, atëherë lëshohet urdhëresa që ai [personi i ftuar] të sillet me dhunë. Menjëherë. Vetëm caktohet termini kur ka kohë prokuroria të merret me palën, në bazë të asaj se si e ka radhitjen e intervistave dhe të marrjes në pyetje të njerëzve. Nuk ka ndonjë afat tjetër”.
“Refuzimi mund të sjellë pak vonesa, pak probleme, por patjetër se [intervistimi i individit nga prokuroria] ka për t’u ekzekutuar”, thotë Hoxha.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar në prill se kundër “qytetarëve, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe përfaqësuesve politikë” në veri të Kosovës janë ndërmarrë procedura “për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.
Atëbotë, ai ka thënë se dyshohet se Prokuroria Speciale po ndjek penalisht më shumë se 70 serbë për pjesëmarrje në protestat e vitit të kaluar, por nuk ka specifikuar se në cilat protesta.
Rakiq, më 9 qershor, ka konfirmuar se ftesa për intervistim nga prokuroria i ka ardhur edhe nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, dhe anëtarit të kryesisë së kësaj partie, Sllavko Simiq.
Rakiq është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Sllavko Simiq është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Igor Simiq, ndërkaq, është deputet i Kuvendit të Kosovës.
Rakiq ka thënë një ditë më herët se askush që gjendet në listat e pretenduara për intervistim nga Prokuroria e Kosovës, nuk do të përgjigjet. Në rast se arrestohen, sipas tij, do të pasojnë “protesta me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike dhe, madje, edhe mosbindja civile”.
Maliqi: Nuk përjashtohet tërheqja e serbëve nga institucionet
Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se përderisa nuk ka ndonjë akuzë të shpallur nga Prokuroria Speciale ndaj zyrtarëve të caktuar të Listës Serbe, refuzimi i tyre për t’u intervistuar mund të konsiderohet si “ftesë për policinë që të ndërmarrë hapa”.
Maliqi thotë se, pavarësisht faktit se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, prokuroria duhet të ketë parasysh implikimin e përgjithshëm të sigurisë dhe të gjejë mënyra për ta administruar rastin, mundësisht pa prodhuar efekte më të gjera për sigurinë.
“Kërcënimet për bojkotim të institucioneve ose për përshkallëzim të mosbindjes civile kanë qenë të vazhdueshme nga veriu [i Kosovës, i banuar me shumicë serbe], por nuk janë materializuar deri tani. Se a do të vazhdojë kështu, mbetet e paqartë. Mbetet i paqartë edhe pozicioni i Beogradit në raport me këto zhvillime. Por, nuk përjashtohet materializimi i këtij kërcënimi – tërheqja e serbëve nga institucionet”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, kjo situatë mund të shfrytëzohet nga ana e Beogradit – i cili mbështet Listën Serbe – për “viktimizim dhe fitim të pikëve politike në rrafshin ndërkombëtar”, si dhe si “ushqim i narracionit se serbët po persekutohen”.
Petroniq: Qasje e gabuar e institucioneve të Kosovës
Verolub Petroniq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra Humanitare, me seli në Mitrovicë, e cila gjithashtu merret me çështje të sigurisë, thotë se Prokuroria Speciale e Kosovës është dashur që moti të dalë me detaje të sakta lidhur me proceset ndaj “disa individëve”.
Siç vlerëson ai, vetëm në atë mënyrë mund të shmanget përshkallëzimi i mundshëm i situatës.
Në situatën e tanishme, thotë Petroniq, qarkullojnë dezinformata të ndryshme dhe populli “është i frikësuar”. Ai thotë se, përmes aplikacionit telefonik Viber, qarkullojnë lista të ndryshme me emrat e njerëzve nga radhët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës.
“Në këtë mënyrë përhapet frika te qytetarët, e cila mund ta destabilizojë situatën edhe ashtu të paqëndrueshme. Vetë fakti që dikush e di se është në një listë, duke mos ditur nëse ajo listë është e saktë apo jo…”, thotë Petroniq për Radion Evropa e Lirë.
“Provokim” për institucione?!
Sipas tij, është e dukshme që arrestimet eventuale do të nxisin protesta të qytetarëve.
“Kam frikë se nuk do të përfundojë me aq dhe trazirat janë të pashmangshme”, thotë Petroniq.
Sipas Maliqit, refuzimi i ftesave të prokurorisë nga ana e zyrtarëve të Listës Serbe, të cilët janë pjesë e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës, flet për “mospranimin e plotë të rendit juridik në Kosovë”.
Për më shumë, ky refuzim, shton Maliqi, reflekton interesin e tyre që të ketë një reagim.
“Fundja, bëhet fjalë vetëm për një intervistim, pra një bashkëpunim procedural administrativ me shtetin e Kosovës për një hetim që po bëhet. Mosbindjen ndaj një ftese të tillë, unë e lexoj si veprim me elemente provokimi ndaj institucioneve, për ta përshkallëzuar situatën, në mënyrë që pastaj kjo të përdoret si instrument politik”, thotë Maliqi.
Reagimi nga Serbia
Më 9 qershor, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se ka informuar të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për, siç ka thënë, “persekutimin e krerëve të Listës Serbe” nga ana e Qeverisë së Kosovës. Nga BE-ja nuk ka pasur ndonjë reagim.
Petkoviq ka thënë se kushdo që mendon se do t’i trembë serbët në Kosovë, mashtrohet.
“Këtë nuk ia dolën as më të fortët dhe nuk do t’ia dalë as Kurti, i cili do të donte t’i rrënonte urat e bashkëpunimit dhe paqes. Serbët do të mbeten të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave legjitime”, ka shkruar Petkoviq në Twitter. Reagim nuk ka pasur as nga Qeveria e Kosovës.
Kur ka pasur protesta?
Pjesëtarët e komunitetit serb kanë protestuar në tetor të vitit të kaluar, pas një aksioni të Policisë së Kosovës për të luftuar kontrabandën e mallrave në rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në atë aksion janë konfiskuar “mallra në vlerë prej qindra mijëra eurosh”, si dhe janë mbyllur disa rrugë alternative, të cilat janë përdorur për kontrabandë mallrash.
Serbë lokalë në veri të Kosovës kanë protestuar edhe në shtator të vitit të kaluar, për dy javë, duke bllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur disa masa për automjetet me targa të Serbisë. Në ato vendkalime, me grupin e qytetarëve serbë kanë qenë edhe përfaqësues të Listës Serbe.