Partia Socialiste feston sot më 12 qershor 31-vjetorin e themelimit.
Socialistët, por jo vetëm janë mbledhur para ambienteve të selisë rozë, ku festimeve u janë bashkuar edhe figura, të cilat kanë kontribuar ndër vite në Partinë Socialiste.
Deputetja e Lëvizjes Socialistë për Integrim, Erisa Xhixho dhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari i janë përgjigjur me pjesëmarrje ftesës së PS-së.
Sipas protokollit është parashikuar që të ketë vetëm një fjalim për shkurtër nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri.
Fillimisht ishte kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ka uruar ditëlindjen e saj.
“Dhe me urimin për ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që i kanë dhënë dje dhe i japin sot PS, që nga patronazhisti më i thjeshtë, tek drejtuesit në territor e deri tek themeluesit e saj dhe lideri Fatos Nano, ju uroj të gjithëve ju një të diel të qetë”, shkruan Rama në Facebook.
Përveç kreut të PS-së, urim ka bërë dhe Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri.
“Me urimin e përzemërt për çdo anëtar, mbështetës, drejtues e këdo që ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut sado të vogël për Partisë Socialiste , duke dëshmuar se familja jonë politike mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri”.
Po ashtu edhe kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla shkruajti se “mirënjohje themeluesve kurajozë, të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate”.