Kombëtarja shqiptare nuk ka mundur të fitojë dot as me Estoninë në ndeshjen miqësore të zhvilluar këtë të hënë në Air Albania, e cila u mbyll me rezultatin 0-0.
Trajneri Reja kishte zgjedhur t’u japë mundësinë lojtarëve që ishin aktivizuar pak ose aspak në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, teksa nga minuta e parë luajtën emra si Bajrami, Mihaj, Hoxhallari, Çokaj, Seferi e Ramadani.
Në pjesën e parë kuqezinjtë patën iniciativën, por nuk arritën të konkretizojnë në raste, teksa mundësinë e vetme për shënim e pati në kokë Giacomo Vrioni, që gjuajti keq dhe dërgoi topin mbi kuadrat.
Në 45-minutëshin e dytë Reja hodhi në fushë edhe emra si Uzuni e Broja, për t’i dhënë një tjetër ritëm lojës së skuadrës, por pavarësisht disa rasteve të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar.
Dy herë portieri kundërshtar u bë pengesë për shënimin e golit, teksa në 2-3 raste të tjera Uzuni u tregua i pasaktë në gjetjen e portës, duke bërë që Shqipëria të mos shkojë dot përtej barazimit pa gola.
Kjo ishte sfida e fundit e Shqipërisë për këtë sezon, teksa kuqezinjtë do të rikthehen në fushë më 24 dhe 27 shtator, për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës.
Mbyllet kështu në mënyrë zhgënjyese ky sezon për kuqezinjtë, që jo vetëm e shohin veten larg vendit të parë në grupet e Ligës së Kombeve, por tregojnë se nuk dinë të shënojnë as ndaj një kundërshtari modest si Estonia.