-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ngazëllime “demokratike” dhe Sali Berisha

Kryesoret

Nga Viktor Malaj

“Ata që nuk duan të arsyetojnë janë fanatikë; ata që s’mund të arsyetojnë janë budallenj dhe ata që s’guxojnë të arsyetojnë janë skllevër” – Xhorxh Gordon Bajron.

Nga përvoja e tij e gjatë në politikë si komunist-antikomunist, Doktori e dinte se prirja dhe dëshira e tij për mitingje ishte gjëja që përputhej më shumë me dëshirat e jo pak shqiptarëve, sidomos të fanatikëve të tij të vjetër.

Për këtë arsye, pasi ia mori Bashës shumicën e anëtarëve të partisë që kishte udhëhequr vetë për mbi tridhjetë vjet, vendosi të dalë edhe një herë rretheqark Shqipërisë dhe të vazhdojë “Foltoret”, me qëllim që “me një gur të vrasë dy zogj”, domethënë edhe të shtrëngojë radhët e militantëve rreth tij, por edhe “të sqarojë” popullin rreth statusit non-grata që ia kishte dhënë padrejtësisht Amerika.

E ndjente që nuk i ka më këllqet e dikurshme për hipje-zbritje nëpër makina dhe se tani nuk e linte kush të bridhte anekënd vendit i shoqëruar nga dhjetëra qafëleshë e mjekërgjatë me automatikë pa leje në dorë.

Për të mos u dukur aq bajat dhe arkaik sa është vendosi të shfaqet pak më i përmbajtur se dikur, t’i lërë edhe të tjerët të flasin e jo si atëherë që vetëm ky fliste dhe të tjerët brohorisnin. Për shkak të moshës së thyer biologjike dhe asaj të konsumuar politike, vendosi të gjejë ndonjë bukuroshe të re dhe ta marrë gjithkund me vete si sekretare, në mënyrë që njerëzit t’i kishin sytë tek ajo dhe veshët tek ky, dhe kështu të sugjestionoheshin e të besonin se ky i përket të ardhmes dhe e ardhmja është sërish e tij.

Militantë të etur për demokraci, domethënë për ndonjë vend pune fitimprurës në dogana, tatime, polici etj. kishte me shumicë, pasi pritja shumëvjeçare dhe e pashpresë për t’u rikthyer në pushtet i kishte lodhur dhe demoralizuar.

Ata besonin se partia e Doktorit duhej të ishte gjithmonë në pushtet dhe, rrjedhimisht, edhe ata t’i gëzonin privilegjet e atij pushteti pambarimisht, djalë pas djali. Qenien e tyre në opozitë jo vetëm e konsideronin padrejtësi historike, por për këtë tani fajësojnë birin politik të Doktorit, pra Lulzim Bashën i cili, siç ua ka shpjeguar Doktori kohët e fundit, rezultoi të ishte “njeriu më i pabesë” dhe “i shitur tek Rama”.

Ata jo vetëm që dëshirojnë kthimin në pushtet të PD-së, por janë edhe të sigurt se këtë mund ta arrijnë vetëm nën udhëheqjen e Doktorit, prandaj janë të gatshëm të hidhen në zjarr për të. E vetmja gjë që i mundon është fakti se nuk e dinë edhe sa kohë Doktori do të qendrojë në këtë botë duke i kundërshtuar rreptë “engjëjt” që duan ta marrin hopa për ta çuar në botën tjetër.

Duke e njohur psikologjinë e turmave dhe i sigurt për interesat dhe pasionet e tyre, zoti S. Berisha ndërmori pra, edhe një Kryqëzatë Demokratike, gjithnjë për hir dhe në interes të popullit. Foltoret, të cilat gojët e liga i quajnë “fallxhoret”, i organizoi në salla të mbyllura në mënyrë që të dëgjojë më mirë hallet e popullit, domethënë mendimet dhe vlerësimet e tij për atë vetë.

Në takimin e parë në qytetin e Shqipërisë së mesme u frymëzua nga prania e anëtarëve të vjetër të partisë dhe filloi ligjërimin “demokratik”:

Të dashur demokratë dhe demokrate! Vij sot këtu përpara jush me nderimin më të lartë dhe obligimin më të madh t’ju them se situata e jashtëzakonshme ku gjendet sot Partia Demokratike, për shkak të vendosjes së diktaturës në Shqipëri, të pushtetit narko-trafikant të Edi Ramës dhe shitjes tek ai të besëthyerit Lulzim Basha, më kanë detyrue të ndërmarr këtë tur takimesh, jo për veten time, por për interesin tuaj, të PD-së dhe të shqiptarëve…

– Rroftë Sali Berisha! Liri-Demokraci! Poshtë komunizmi!- thirrën disa të fandaksur nga salla.

Pastaj vazhdoi: Siç e keni marrë vesh, para disa kohësh Sekretari Shtetit të SHBA-së njoftoi shpalljhen time non-grata. Në të vërtetë, ky nuk është qendrimi i SHBA-së, i mikes më të madhe të shqiptarëve dhe times. Ju të gjithë e dini se unë kam punue gjithmonë me ndershmëri dhe nuk jam i korruptue prandaj e kam paditur z. Blinken në Francë për shpifje dhe i kam kërkue atij të paraqesë çdo provë që disponon për mue, por ai nuk ka asnjë të tillë.

– Të marrshin të keqen!- thirri dikush nga salla, dhe kaq u desh që të pranishmit të ngriheshin në këmbë me brohoritje: O Sali, o hero / gjithë Shqipëria ty të do!*

I ngazëllyer nga thirrjet e të pranishmëve, Berisha filloi të qeshë dhe, me gojën e hapur vesh më vesh, pyeti sekretaren që e shoqëronte: Po ti, ç’thue, a më do mue gjithë Shqipëria?

Sekretarja, po aq e ngazëllyer, ia ktheu siç e donte ai: Patjetër që ju do. Ju e dini shumë mirë se unë lashë Zvicrën për ju.

Ndërsa e vazhdonte të qeshurën për inerci, në brendësi Doktori filloi të mendonte me trishtim: Po, nëse mue më do e gjithë Shqipëria, si ndodh që kur shkojnë tek kutitë e votimit, shumica votojnë armiqtë e mi?!

Ndërsa s’po i përgjigjej dot mëdyshjes së vet, vazhdoi duke iu drejtuar të pranishmëve: Por, armiqtë e jashtëm, me në krye miliarderin Xhorxh Soros, dhe në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm të kryesue nga narkomani Edi Rama kanë lobue tek qeveria amerikane për të më goditur mue sepse unë iu jam bërë pengesë për ndarjen e Kosovës sipas planeve Soros-Vuçiç- Rama. Në këtë plan po iu vjen në ndihmë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, në të vërtetë guvernatorja e vendit tonë, znj. Juri Kim, e cila arriti deri atje sa t’ju fyej ju dhe mue duke thënë se shpresonte që PD-ja nuk do të hante bar, domethënë nuk do të më rizgjidhte mue si kryetar.

Turma në sallë filloi të thërrasë: Poshtë bari! Poshtë Ame….!, mirëpo u desh vendosja e gishtit tregues vertikalisht tek goja nga ana e Doktorit që ata të heshtnin. Me shpirt dhe me ndërgjegje ishte me turmën dhe do të donte që këto thirrje të buçisnin anekënd Shqipërisë, mirëpo instinkti politik ia kërkonte që të heshtej sepse kishte mbi tri dekada që iu ishte shitur shqiptarëve si pro-amerikani më i madh në glob, ashtu siç iu kishte thënë kuvajtjanëve dikur se i ati e kishte edukuar me dashurinë pë Kuvajtin qysh kur ishte fëmijë, edhe pse Kuvajti u bë shtet kur Saliu ishte 17 vjeç.

Një diskutant, 100 për qind demokrat, tha: Të bëjmë një peticion, të njihemi si berishistë. Të më shpallë edhe mua Amerika non-grata. Ç’më duhet mua Amerika! As që dua të shkoj atje. A jeni dakord të jemi non-grata të gjithë?*

E, ndërsa salla shpërtheu në duartrokitje, të shoqëruara nga thirrja: Pooooo!, diskutanti vazhdoi: Me këtë që ka bo Amerika, Berishën e ka bo gjeneral, superstar me grada….*

Pas takimeve të sukseshme në Shqipërinë e Mesme, Doktor iu drejtua Jugut, të cilin e ka dashur shumë gjithmonë. Në Vlorë, pas fjalës së tij të zakonshme hyrëse, e mori fjalën një militant i vjetër i partisë: I nderuar bashkëmoshatari im! Unë e ti jemi të vjetër nashti, por ti ke bërë mirë që ke marrë me vete të rinj dhe të reja të hijshme sepse tani dukesh edhe më i ri. Një herë në 500 vjet duhet një Hero Kombëtar. Zoti të bekoftë o Hero Kombëtar!*

Gara për të folur dhe shprehur besnikërinë ndaj udhëheqësit të partisë ishte e madhe. Një anëtar tjetër i partisë, ndër të tjera, tha: Z. Berisha! Ti për mua je një yll polar i kombit shqiptar. Ke zhdukur komunizmin, ke zhdukur diktaturën e Enver Hoxhës. Kur ke bërë dorëheqjen më kanë shkuar lotët nga keqardhja. T’i bashkohemi Nderit të Kombit, Sali Berishës!*

Pas Vlorës, i erdhi radha Korçës. Edhe atje militantët dhe të dëshpëruarit për pushtet mezi prisnin takimin me shpresën e tyre të vetme. Midis folësve të tjerë, një grua e moshuar tha:

– Mirëseerdhe në Korçë! Të lumshin duart, goja, këmbët dhe mendja jote!… Unë e kam rritur këtë vajzë protestave. Jemi përvëluar me gaz. Unë them që koha jote, si për drejtësi, sepse sot nuk ka drejtësi se policia është kriminele, prokurorët janë kriminelë gjithashtu… Siç u çove, bravo të qoftë! Kam qarë kur të ndiqja në Facebook. Koha jote ishte më e lumtur nga të gjitha anët. Po të jesh ti në krye, do jenë këtu shqiptarët. Pse t’ua lëmë pasuritë t’i vjedhë qeveria. Nga i pari tek i fundit janë për në burg. Jo, po të thonë ty non-grata. Nuk ke vjedhur asnjë. Njeri më të ndershëm nuk ka. Ti s’ke pasur kurrë dashnore…*

– Dashnorja ime e vetme ka qenë gjithmonë Shqipëria,- ndërhyri z. Berisha.

– Ashtu është!- thirri një zë nga salla,- Ti e ke treguar këtë me vepra.

Pastaj militantja vazhdoi: Këta, të gjithë kanë nga njëqind dashnore. Ata që ke zgjedhur janë të ndershëm.*

Meqë i kujtoi ndershmërinë, Doktori e pa të nevojshme të ndërhynte: Shiko! Ne gjithmonë kemi pasur dhe kemi zgjedhur njerëzit më të ndershëm që ka Shqipëria. Siç e dini, sot Mafia dhe krimi i organizue ka kapur qeverinë, drejtësinë dhe çdo gjë tjetër.

Në krye të partisë ne do të zgjedhim njerëzit më të ndershëm, të devotshëm dhe të aftë. Ata, vërtetë do të zgjidhen me votën e lirë të Kryesisë, pasi unë besoj fort tek vota e lirë, por po ju them se si zëvendës të mi do të zgjedhim një Bylykbash, ose kryetar i bylykut, që në kohën e Turqisë drejtonte njësitë e ruajtjes së rendit me mjete demokratike.

Tjetri zëvendës do të jetë Luçiano Boçi, i cili, siç e keni parë vjet në TV, ka tregue guxim dhe trimëri të jashtëzakonshme duke u përleshur në Elbasan me bandat e krimit edvinist, madje edhe ua ka marrë atyre telefonat celularë. Si figurë e dytë, apo Sekretar të Përgjithshëm, dhe këtu besoj se jeni dakord me mue, do të zgjedhim z. Flamur Noka, i cili ka dëshmue me konsekuencë se është patriot, i mençur dhe demokrat.

Përveç faktit se, qysh kur zbriti nga Kukësi me një valiçe druri në dorë, arriti të bëhej milioner, me toka e shtëpi nga Saranda në Tiranë e Lalëz, ai ka dëshmue se i përket racës së demokratëve dhe njerëzve të qytetnuem. A ju kujtohet ju kur, para pak vitesh, ai hyri me forcë në Drejtorinë e Policisë Tiranë, shtyu dhe pështyu oficerët e policisë së armikut Edvin Rama dhe arriti të lirojë nga burgu protestuesit paqësorë që iu vunë flakën godinave të Parlamentit dhe Qeverisë?

Meqë mue po më lënë fuqitë dhe Azemi, ndjesë pastë, nuk jeton më, na nevojitet një tjetër “Hero i Demokracisë” që të përleshet fizikisht me bandat e narkoqeverisë. Në këtë mënyrë, ne e kemi të sigurt fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gjatë rrugës drejt Veriut, Doktori u ndal në Lezhë. Demokratë nga e gjithë prefektura ishin mbledhur në sallën e Pallatit të Kulturës. Pas fjalës së tij dhe të disa militantëve, e kërkoi fjalën një qytetar që, në shekullin e kaluar, kishte shërbyer si bodigard pranë qeverisë së z. Berisha.

-Vij nga Fani i Mirditës,- e filloi demokrati shpjegimin e shqetësimeve të tij rreth demokracisë dhe të ardhmes së vendit. – Jam mbështetësi juj deri në vdekje, jo më shumë ëëë! Kam një keqardhje për Lulzim Bashat. Ato qelbësirat ne i hamë kështu me dhamë ëëë ! Fatkeqësisht, unë të due ma shumë se due fëmijtë e mi!*

Ndërsa salla duartrokiste, Doktori, në vend të ngazëllehej, u bë i menduar dhe betohej me vete se, po i erdhi dita edhe një herë të qeverisë, këtë besnik të çartur, të mençur e të arsyeshëm do ta bënte komandant të Gardës.

Populli shqiptar, që shihte në darkë në TV këto episode që shpalosnin shpirtin dhe mendimin demokratik shqiptar, rrinte mendueshëm dhe fillonte të kuptonte përherë e më shumë dhe gjithnjë e më mirë shkaqet e pakënaqësisë dhe dëshpërimit të tij.

Kur shihte se kush flet në emër të demokracisë, kush hiqet si bartës i saj dhe kush ia premton atë në të ardhmen, si mbetej gjë tjetër përveç se të psherëtinte thellë dhe të mendohej gjatë…/ Botuar në DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit