Historia e inceneratorëve vazhdon që të shkaktojë pasoja të rënda, jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe të familjeve shqiptare. Konkretisht, pas Fierit, janë ngritur në protestë punonjësit e inceneratorit të Elbasanit për shkak të mungesës së pagave.
Sipas tyre nuk kanë marrë ende rrogën e muajit mars, pasi firma u tërhoq ndërsa me pas inceneratori ia kaloi përgjegjësinë bashkisë Elbasan. Pas këtij momenti, punëtorët shprehen se u është ulur paga, ndërsa nuk marrin as atë minimale.
“Rrogën e muajit mars ne nuk e kemi marrë, nuk e di pse na e kanë mohuar. Unë jam punëtori më i vjetër këtu, kam 7 vite dhe na dhemb mesi nga peshat e ndërkohë nuk marrim lekët” tha një nga punëtorët.
“Sipas rregullave të punës kërkojmë rrogën e marsit, është viti 3-të që punoj këtu. Me çfarë të blejmë ushqimet? Është industri këtu, me vështirësi me infeksione e kancer. 8 orë për 2 mijë e 500 lekë. S’na hapin as telefonat! Ne na duhet një sqarim” u shpreh një tjetër.
“Bosët” që morën miliona euro për ndërtimin e inceneratorëve, por që i lanë gjysmë dhe rrugëve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë në kërkim, por qeveria vazhdon ende t’u kalojë cdo muaj lekët në llogari, ndërsa për punëtorët nuk ka asgjë.