Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të martën e 14 qershorit, në një konferencë për mediat ka deklaruar se të mërkurën nis zyrtarisht puna e Komisionit për Reformën Territoriale.
Teksa bëri të ditur që komisioni do të bëjë një hulumtim se si është zbatuar deri tani reforma territoriale, në të ardhmen mund të shihet ideja e rajoneve, ku bashkitë të bashkëpunojnë me njëra tjetrën në nivel rajonal.
“Nesër do të mbahet mbledhja e parë, ku do ngrihet grupi i punës për hartimin e një objekti të punës së Komisionit. Është e rëndësishme që komisioni i reformës territoriale të bëj një hulumtim të reformës së deritanishme. Zhvillimi territorial do jetë sfida jonë e përbashkët, ku bashkitë të bashkëpunojnë me njëra tjetrën në nivel rajonal. Reforma administrative territoriale ka qenë një prej më të rëndësishme që kemi ndërmarrë deri tani”, tha Balla.
Më tej ai theksoi se 8 vite pas miratimit të kësaj reforme, ndarja administrative ka një përmirësim të dukshëm.
“Jemi 8 vite pas miratimit të kësaj reforme dhe në një vend kaq të vogël si Shqipëria, reforma është në 61 bashki dhe besoj që ndarja e re administrative ka bërë një përmirësim të shërbimeve publike në shërbim të qytetarëve. Rama ka qenë i qartë në llogaridhënie dhe ka përmirësim të shërbimeve në dobi të komuniteteve. Aty ku duam të shkojmë ka ende punë për të bërë. Nuk duhet parë si detyrë partiake nga deputetët por qytetare. Duhet parë si është zbatuar reforma administrative territorial dhe pastaj të gjendet një mënyrë për të shkuar drejt një organizimi më funksional rajonal”, përmbylli kryetari i grupit parlamentar të Ps-së.