SPAK ka bërë hapin e dytë në hetimin për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit”.
Pas anëtarit të komisionit të dhënies së koncesioneve, Saimir Kadiu, në pyetje është marrë për gjashtë orë ish zv-ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj në lidhje me hetimet në kuadër të koncensionit të sterilizimit me vlerë 100 mln euro.
Ai është pyetur për disa orë nga prokurorët e SPAK-ut lidhur me procedurat që janë ndjekur nga institucioni ku ai ishte vartës në dhënien në dhënien e këtij koncesioni.
Por çfarë është koncesioni i sterilizimit?
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë.
Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj.
Kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë.
Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja.
Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.
Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.
“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.