Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit këtë të martë, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.
Kështu ka njoftuar Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës.
Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet kurrë dhe do ta kundërshtoj fuqishëm.
“Propozimet tona kanë qenë që paga minimale të jetë në nivelin e tillë, që të mundësojë mbulimin e nevojave elementare për punëtorët dhe familjet e tyre, gjë që nuk është as për së afërmi e kënaqshme me propozimin e qeverisë që e ka sjellë me projektligj”.
“Por në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale”, tha Krasniqi.
Krasniqi deklaroi se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë e Kosovës dhe se pavarësia e ka në themel luftën për liri të këtyre burrave e grave që kanë rrezikuar jetën dhe kanë lënë pjesët e trupit nëpër vija të frontit.