Kërkohet: Qitës kundërajror. Pagë e mirë. Strehimi dhe sigurimi mjekësor i përfshirë. Shtesa për veshje. Tri shujta në ditë.
Këto ditë ka shumë njoftime për vende të lira pune në faqet ruse të punësimit dhe mediat sociale: shoferë, pjatalarëse, kuzhinierë, programues, arkëtarë në dyqane ushqimore.
Gjithashtu në ofertë: punë/pozita për luftëtarë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Tani në muajin e katërt – teksa fundi nuk i shihet në horizont – pushtimi po shndërrohet në një luftë rrënimi, ndërsa Rusia përpiqet të arrijë një fitore në dukje dhe Ukraina po bën mbrojtje të fortë, shpesh kundër gjasave. Të dyja palët po shkaktojnë viktima të mëdha; zyrtarët ukrainas thonë se po humbasin më shumë se 100 ushtarë në ditë.
Ndërkohë, Rusia po bën çmos që të fshehë humbjet e veta. Është vështirë të haset në vlerësime të besueshme, por zyrtarët perëndimorë thonë se numri i të vrarëve në luftime ka të ngjarë të kalojë shifrën prej 20,000.
Shkalla e humbjeve të Rusisë – si e njerëzve, ashtu edhe të pajisjeve dhe armatimit – nuk është e qëndrueshme, thonë shumë ekspertë perëndimorë, por Kremlini i ka rezistuar thirrjes për një mobilizim të përgjithshëm.
Për të plotësuar trupat në rënie e sipër në Ukrainë, Rusia i është drejtuar asaj që disa vëzhgues e kanë quajtur “mobilizim tinëzar”. Përpjekja përfshin një faqe zyrtare rekrutimi të postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Por, po ashtu përfshin reklama ndihmë-kërkuese të postuara në faqet kryesore të internetit të rekrutuesve të punës, si dhe rrjetet e mediave sociale, sikurse VKontakt. Pozitat e lira janë për punë në forcat e rregullta të armatosura të Rusisë.
Njëra nga to e postuar në faqen për punë Head Hunter më 24 maj titullohej “Ushtar me kontratë”, me pagë të publikuar duke filluar nga 150,000 rubla për muaj, pa taksa (rreth 2,550 dollarë, vlerë mbi pagën mesatare kombëtare prej 950 dollarësh).
“Granatahedhësi është pjesë e skuadrës së automatikëve të motorizuara”, thuhet në përshkrimin e punës. “Ai luan një rol të rëndësishëm në forcimin e fuqisë së zjarrit në skuadër. I armatosur me granatahedhës, një stok i granatahedhësve dhe granatave, ai qëllon objektivat tokësore dhe detare dhe makinat e blinduara të armikut dhe të tërheqë këmbëzën”.
Në mesin e përfitimeve të listuar: dhoma dhe qëndrim, sigurim shëndetësor, kompensim për veshje, pension pas 20 vjet shërbimi dhe të tjera.
Aty nuk përmendet konkretisht lufta në Ukrainë.
Pozita tjera të listuara në faqet ndihmë-kërkuese të internetit përfshijnë gjuajtësin kundërajror – kërkesat: “të njohësh në mënyrë të përsosur armën tënde dhe ta zotërosh atë” dhe shoferin –përgjegjësitë: “siguron funksionimin efikas dhe të sigurt të pajisjeve që i janë besuar kur transporton personelin e njësisë dhe pajisje logjistike, siç kërkohet në jetën e përditshme dhe në betejë”.
Një tjetër postim pa datë në faqen SuperJob, është për një pozitë më të lartë: “komandant i një njësie ushtarake”. Paga fillestare: 200,000 rubla (3,400 dollarë). Përgjegjësitë përfshijnë “njohjen e kushteve të luftës dhe rregulloreve të përgjithshme ushtarake; bazat e kombinuara të luftimit të armatosur…armët dhe pajisjet ushtarake të njësitit; rregullat për përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre; bazat e trajnimit dhe edukimit; ruajtjen e disiplinës ushtarake dhe moralin e lartë dhe gjendja psikologjike e personelit”.
Disa nga reklamat ndihmë-kërkuese janë postuar në rrjetin më të madh të mediave sociale të Rusisë, VKontakte, në faqet e dedikuara për shërbimin ushtarak me kontratë.
Një faqe, e cila ka 133,000 ndjekës, quhet “Ushtria Z”, një referencë për simbolin “Z” që Kremlini e ka adoptuar për luftën dhe përfshin video shumë propagandistike, përfshirë një që daton në 2015 të quajtur “Unë jam pushtues rus”.
“Unë jam një pushtues rus dhe jam i lodhur duke kërkuar falje për këtë. Unë jam pushtues me të drejtë nga lindja, unë jam agresor dhe monstër i etur për gjak. Frikësohuni”, thuhet në video. Studioja që ka prodhuar videon më vonë ka thënë se ajo video është porositur nga në entitet i panjohur qeveritar.
Partneritet publiko-privat
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka rezistuar që të mos shpallë një mobilizim të përgjithshëm, i cili në thelb do të kërkonte shpalljen e luftës së plotë ndaj Ukrainës, në vend të asaj që Kremlini në mënyrë eufemiste e quan tani një “operacion të posaçëm ushtarak”.
Një lëvizje e tillë mund të kthehej në bumerang për popullin rus, shumica e të cilëve deri më tani kanë treguar mbështetje ose vetëkënaqësi për luftën, pavarësisht nga numri në rritje i vdekjeve dhe izolimi në rritje i vendit.
Aktualisht, forcat e mirëarmatosura ruse prej 900,000 trupave janë një përzierje e rekrutëve – të gjithë burrat mes 18 dhe 27 vjeç janë të detyruar të kryejnë një vit shërbimi ushtarak – dhe ushtarëve vullnetarë me kontratë, të cilët përbëjnë një përqindje në rritje të forcave të përgjithshme luftarake.
Ushtarët me kontratë, të cilët zakonisht regjistrohen për tre ose më shumë vjet, priren të jenë më të trajnuar se rekrutët, të cilëve u ndalohet të vendosen në luftime aktive si Ukraina.
Përveç postimit të reklamave ndihmë-kërkuese, zyrtarët kanë ndërmarrë përpjekje të tjera për të forcuar forcën luftarake.
Ligjvënësit gjithashtu miratuan së fundmi një ligj që lejon burrat mbi 40 vjeç të shërbejnë në forcat e armatosura. Dhe ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka deklaruar se luftëtarët e “operacionit të posaçëm ushtarak” në Ukrainë do të konsideroheshin veteranë sipas ligjit rus, me të drejtë për një mori përfitimesh sociale afatgjata.
Në një video të siguruar nga Realitetet e Kaukazit të Radios Evropa e Lirë, një rekrutues në rajonin e Krasnodarit të Rusisë jugore, thotë se ushtarët do të marrin shpërblime për “akte heroike” të tilla si “shkatërrimi i një tanku, një aeroplani, një bartës personeli të blinduar, e kështu me radhë”.
Nuk është e qartë se sa ndikim kanë reklamat e rekrutimit dhe atyre ndihmë-kërkuese në rritjen e fuqisë luftarake.
Duke komplikuar më tej rekrutimin është se, me gjithë përpjekjet zyrtare për të shuar çdo diskutim publik rreth viktimave dhe numrit të vdekjeve me të cilat po përballen forcat ruse, disa njësi ushtarake dhe paraushtarake kanë refuzuar të dislokohen në Ukrainë.
Një avokat i njohur rus i të drejtave tha në prill se më shumë se 1,000 pjesëtarë të personelit ushtarak dhe trupa nga Garda Kombëtare nga të paktën shtatë rajone kanë refuzuar urdhrat për t’u dislokuar në Ukrainë. Hulumtuesit e pavarur thonë se numri ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
‘Vende të lira pune në Vagner’
Mënyra të tjera se si komandantët kanë forcuar forcën kryesore luftarake në Ukrainë përfshijnë një njësi ushtarake tërësisht çeçene të njohur si “Kadyrovtsy”, duke i dërguar ata në vende specifike në Ukrainë, si për betejnë e qytetit-port të Mariupolit.
Dhe kompanitë private mercenare si Vagner, që njihet për rolin që ka pasur në konfliktet nga Libia në Siri, gjithashtu kanë shtuar rekrutimin online dhe përmes rrjeteve sociale.
Një faqe në VKontakte e quajtur “Vende të lira pune në Vagner” ka një postim të datës 3 qershor ku shkruhet “Si t’i bashkoheni Vagnerit më 2022?!”.
“Çfarë ofron kompania?”, shkruhet në postim. “Një ekip i motivuar, me luftëtarë me përvojë të gjerë luftarake. Mungesë e një çmendine ushtarake, burokracisë dhe gjërave të tjera. Stërvitje reale e të vazhdueshme luftarake, mundësi për të fituar aftësi të reja të veçanta. Mundësi për të punuar në të gjithë botën”.
Prania e ushtarëve privatë në operacionet ushtarake ruse është problematike nga pikëpamja ligjore: kompanitë private ushtarake mbeten të paligjshme në Rusi, madje edhe Vagner dhe rrjete tjera të tilla janë rritur në paraqitje dhe prani dhe përdoren nga ushtria ruse dhe agjencitë e inteligjencës si një forcë ushtarake në hije.
Zyrtarë ushtarakë rus nuk kanë mundur të kontaktohen për komente ose pyetje lidhur me reklamat ndihmë-kërkuese dhe nëse ato po rrisin rekrutimin./ REL