Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksandër Schallenberg, pas takimit që ka pasur me homologun e tij kosovare, Donika Gërvalla, në një konferencë për media ka theksuar se gjatë takimit me të kanë diskutuar për shumë tema në mesin e tyre edhe dialogun Kosovë-Serbi, i cili sipas tij duhet të përfundojë me njohje.
“Biseduam edhe për procesin e dialogut i cili është shumë i rëndësishëm, po diskutohen elemente të ndryshme si çështja e energjisë, por në fund është e rëndësishme që në mes të dy vendeve të kemi normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe sidomos njohjen që nuk vihet në dyshim fare”, ka thënë Schallenberg.
Kryediplomati austriak ka qenë i prerë edhe sa i përket liberalizimit të vizave, pasi sipas tij Kosova është i vetmi vend i cili nuk e po e gëzon lirinë e lëvizjes për një kohë të gjatë.
Në këtë kontekst Schallenberg, ka premtuar që në samitin e radhës do ta shtrojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas tij Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Austrinë.
“Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të bëjë destabilizim të rajonit vetëm me një gjuajte. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në union”, ka shtuar ai.