Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kokaina që erdhi nga Brazili në Portin e Durrësit, e cila ishte e fshehur në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.
Ngarkesa me mish pule kishte si destinacion “Apetit Group” në Maqedoninë e Veriut, me administrator Arben Ferizin nga Kosova.
Në vitin 2019, në këtë kompani është vrarë Armend Kutlloci, ish punonjës në atë kompani.
Armendi u qëllua me një pistoletë të tipit TT-7.62 mm nga një koleg i tij, nga fshati Kukë i komunës së Dragashit.
Ndërkohë administratori i kompanisë “Apetit Group”, Arben Ferizi, që ka porositur mish pule nga Brazili, në kontejnerin e të cilit u zbulua dhe sekuestrua 45.5 kg kokainë në Portin e Durrësit, ka dhënë dëshminë e tij para autoriteteve.
Në dëshminë e tij, administratori kosovar nuk ka pranuar se ka dijeni për ngarkesën e drogës dhe se nuk ishte në dijeni se çfarë tjetër ndodhej në kontejner.
Sipas Ferizit, kompania e tij e salsiçeve është e suksesshme dhe se porosia dhe blerja e mishit kryet online.
“Kompania që administroj ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme dhe nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner. Të gjitha veprimet kryhen online, porosia dhe blerja e mishit”, ka thënë administratori para hetuesve.