-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

A bëri pazar me të ardhmen e Kosovës Hashim Thaçi?

Kryesoret

Nga Bedri Islami

Edhe pak javë do të bëhen dy vite që kur Hashim Thaçi, ish kryeministri dhe ish presidenti i Kosovës është në Hagë. Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë, ndryshime të ndjeshme kanë ndodhur në konfiguracionin politik të  saj, liderë të vjetër , disa të ardhura që nga koha e Millosheviqit janë të larguar nga drejtimi i partive tradicionale, një skile e vjetër e saj është pas kulisave, të tjerë nuk kanë më as fuqinë dhe as rëndësinë e mëparshme. Lideri i Vetëvendosjes është kryeministër dhe , nga klizma e LDK-së,  një grua u gjend në zyrën presidenciale. Figura të ndryshme, që , në një mënyrë ose në një tjetër përfaqësonin në politikën e përditshme, si pjesë e mendimit të dikurshëm titist, ose edhe më tej, përkrahës të linjës serbe në Kosovë, si Rexhep Gjergji, Anton Kola, Edita Tahiri, Sabri Hamiti , Ekrem Kryeziu i Prizrenit, rrymën e fortë kundër bashkëpunimit me shtetin shqiptar, njëkohësisht edhe kundër lëvizjes çlirimtare dhe ideve të saj progresive, në një mënyrë ose në një tjetër janë zëra të heshtur. Çuditërisht, edhe pas largimit të tyre, ndërlidhja mes dy shteteve shqiptare është më e ftohtë se kurrë dhe , megjithëse thellësia e tyre nuk është aq e ftohtë, maja e kësaj politike është pothuajse e ngrirë.

Hashim Thaçi vazhdon të jetë në HAGË, në pritje të gjykimit të tij dhe të një elite bashkëpunëtorësh, të cilët, duam apo nuk duam, ishin në drejtuesit kryesorë të Lëvizjes çlirimtare.

Shumë kohë para arrestimit , si të ishte një paralajmërim për atë që do të ndodhte, analistë që kurrë nuk e kishin dashur Kosovën dhe as jetësimin e pavarësisë së saj, që pas çdo akti çlirimtar shihnin dhe gjurmonin të gjenin gjurmë krimi; njerëz të politikës që nguteshin të vinin në pushtet apo që e kishin humbur pushtetin, si duket përfundimisht, arrivistë të thekur që më pas do të përfundonin në zyra presidenciale, “ të pavarur “ që ende sot kullotin në disa hane parash, ngritën alarmin se zoti Thaçi kishte bërë marrëveshje të fshehta, jo vetëm me botën perëndimore, por edhe me shtetin serb, për të shitur Kosovën dhe për të siguruar lirinë e tij. Faktin që hetuesit e Strukturave të Specializuara, ndërsa kishin thirrur dhe hetuar bashkëpunëtorë të tij, ende nuk e kishin pyetur atë krijonte për to, njëherësh, alibinë se ai ishte i gatshëm të shesë gjysmën e Kosovës për lirinë e tij private. Ndonjëri shkoi edhe më tej, duke i bërë thirrje hapur, “ Shko, shko, bre Hashim në Hagë”, sikur të kishte pritur dëbimin e burgimin e tij për të qenë në zyrat e sapo lëshuara nga vetë ai.

Pas thuajse dy viteve, kohë e mjaftueshme për të rrëzuar çdo lloj alibie, është momenti për të pyetur seriozisht : A e shiti Hashim Thaçi Kosovën për lirinë e tij, a i shiti ai shokët e miqtë e tij për të qenë vetë i lirë?

Si ndodhi e përse ndodhi e gjithë kjo?

Ndoshta , si pak kush tjetër, kam qenë në rrjedhën e ngjarjeve. Jam takuar disa herë me Thaçin dhe kemi folur gjatë për atë që mund të ndodhte në të ardhmen, që me krijimin e Gjykatës Speciale, deri te mundësia e goditjes në strukturat drejtuese të luftës, si shenjë për të rënduar gjithë UÇK-në; në perspektivën e të ardhmen e shtetit të Kosovës, sidomos në momentet vendimtare të saj.

Ka qenë i vetëdijshëm se , si gjithë shokët e tij, edhe ai mund të goditej, kjo që përpara se me nismën e tij të miratohej ngritja e këtij organi të specializuar, ashtu si e dinte krejt mirë se ajo që po ndodhte mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të ishte një ndeshje e gjatë, e lodhshme, ku përballët do të ishin të vazhdueshme dhe, mbi të gjitha, detyrimet do të ishin më të mëdha se sa mund të mendohej.

Në asnjë moment, asnjëherë, kurrë, nuk më ka folur për ndarjen e Kosovës, për shkëmbim territoresh, ndërrim kufijsh, por ka qenë i vetëdijshëm se do të vinte koha për definimin e tyre. Kjo ka ndodhur me çdo shtet pas luftës, do të ndodhte edhe aty.

Pikërisht në këtë kohë profesor Rexhep Qosja do të dilte me idenë e shkëmbimit të territoreve, me arsyen e thjeshtë se, ndërsa disa komuna kufitare, ku shumica serbe ishte dërmuese tani, nëse jo de jure, de fakto ishin pjesë serbe, ndërsa mund të kishim shansin të rifitohej Kosova Lindore. Ide, të cilën, Thaçi nuk e zhvilloi më tej dhe as nuk e bëri pjesë të politikës së tij. Megjithatë, sapo ai përmendi se do të vijë dita e vendosjes përfundimtare të kufirit, të gjithë ata që i ishin sulur edhe më parë, gjetën alibinë për të iu sulur edhe një herë.

Pas një deklarimi të Presidentit të Kosovës për korigjimin e kufijve është ndezur, ndoshta me të drejtë, një debat i pafund rreth kësaj teze, e cila, si jam i bindur, kurrësesi nuk mund të  ishte ide e Hashim Thaçit. Diplomatë perëndimorë , duke menduar se do të gjenin një zgjidhje kompromisi, pa qenë në vijën e shteteve të tyre, ia sugjeruan. Mohimi i tij , si ishte menduar se do të ndodhte, hapi një hapësirë ftohje në qarqe të Bashkimit Evropian dhe ai delegoi gjithçka të tijën përtej Atllantikut. Po ashtu, dua të besoj se, si ndodh zakonisht në nënzërat e politikës, ai duhet të ketë marrë një mendim nga strukturat që e mbështesin në botën e politikës. Dhe këto struktura janë të njohura.

Por, edhe sikur të ishte mendim vetjak i tij, ai , si u alarmuan analistët dhe njerëzit e politikës opozitare në Shqipëri, por edhe në Kosovë, as nuk e vendosi këtë, as nuk i vuri zjarrin kontinentit të vjetër, dhe as nuk ka fuqi të hapë atë që quhet Kutia e Pandorës.

Sidoqoftë unë e them haptas: nëse Ai do të arrinte atë çfarë kishte në mendje, kthimin e Kosovës Lindore si pjesë integrale të Kosovës, le të hapen 100 kuti pandorash, të cilat janë mbyllur një mijë herë për vendin tonë dhe gjithnjë në dëm të tij. Mendimi i një politikani lësëist se “ kufijtë janë mirë” është naiv, pasi , pas këtyre kufijve shumë nga shqiptarët që bëjnë pjesë në shtetet rrethuese, sidomos në Kosovën Lindore, janë në prag të asgjësimit si pjesë formuese; ata po shpërngulen me dhunë, po mohohen të drejta dhe vetë jeta e tyre është në rrezik.

Por të kthehem tek idea e këtij shkrimi, “A e shiti Kosovën Hashim Thaçi”? “ A bëri Pazar ai me të ardhmen e saj”?

As Hashim Thaçi dhe askush tjetër nuk ishte dhe nuk  është sot zot i Kosovës dhe mbinjeriu që vendos për fatin e saj. Edhe nëse, në rastin më të hidhur, ai apo ajo  provon të bëjë lëshime mbi hartën e Kosovës, sado të vogla të jenë ato, përgjegjësinë historike por edhe ndëshkimin kohor do e marrë vetëm ai, por sigurisht se asgjë e tillë nuk do të mund të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të saj.

Ka patur shumë zëra se e gjithë kjo që po ndodhte asaj kohe në Kosovë, pra përplasjet dhe përdallimet e mëdha mes klasës politike dhe rolit të Thaçit kanë të bëjnë me lëshimet e këtij të fundit ndaj strukturave euroatllantike për të qenë i sigurtë se ndaj tij nuk do të veprojë Gjykata Ndrkombëtare, e njohur si Gjykata Speciale, e cila tani ka mbyllur disa nga dosjet  e saj dhe mund të jetë duke përgatitur të tjerat. Më shumë se gjithçka tjetër ajo i ngjan një gjykate politike.

Të bësh politikë përmes një teze të tillë dhe të synosh të bësh të kapshëm mendimin se lëshimet e Thaçit kishin të bënin me “ ruajtjen e kokës së tij” do të thotë që nuk ke kuptuar dy gjëra themelore: që bashkësia ndërkombëtare po vepron kundër Kosovës, për deri sa kërkon lëshime politike e teritoriale dhe, e dyta, të mos e njohësh mekanizmin që është vënë në lëvizje nga drejtësia ndërkombëtare, e cila, jo si në Kosovë e kurrë si në Shqipëri, është besuar se nuk është institucion politik, nuk varet nga shefat e shteteve dhe as nuk do të ia dijë se çfarë lëshimesh është i gatshëm të  bëjë Hashim Thaçi. Fakt është se gjatë qeverisjes apo presidencës së Thaçit asnjë vendim nuk ka qenë në rëndim të Kosovës dhe në dobi të shtetit serb, dhe se stofi politik i tij, që u rrit habitshëm me kalimin e viteve, i kërkonte gjërat hap pas hapi, pa rënduar mbi shtetin e Kosovës, ku ai ishte pjesë e rëndësishme e Lirisë dhe pavarësisë së tij.

Nëse ndaj tij, si ndaj kujtdo tjetër në Kosovë, ka fakte dhe saktësi se me emërin dhe luftën e tij, janë të lidhur edhe krimet të ndryshme, kjo nuk ka të bëjë aspak, në asnjë çast, me lëshimet ose idetë që kishte ndër mend Presidenti i Kosovës.

Vetëm ata që në rrethana të ndryshme kanë bërë lëshime të tilla, qoftë politike, qoftë kombëtare, për më shumë hapësirë politike e jetësore, e përceptojnë Gjykatën Ndërkombëtare si një han ku futet e del secili që mbron apo dënon politika jashtë Kosovës. Arrestimi i tij vazhdon të mbetet si një mbyllje dyersh për një klasë politike të luftës, dhe, në të njëjtën kohë për të hapur dyer të tjera për një tjetër klasë politike.

Presidenti Hashim Thaçi nuk kishte tagër të shesë asnjë metër katror të Kosovës. As të ndërrojë kufijtë e saj në rrudhjen e tyre. Dhe as nuk ka synuar të bëjë këtë. Në mos tjetër, ai e di fare mirë që mbi fatin e tij, jo vetëm politik, por edhe mbi investimin e shkuar, varet një darë e fuqishme, përmes së cilës nuk mund të luash me asgjë tjetër, veç dobisë për shtetin tënd. Burgosja e tij dëshmoi se nuk kishte pasur pazare, qëndrimi ndaj tij në kushtet e arrestit të vazhdueshëm është shenjë se ka ende qarqe që kanë drojë nga kthimi i tij në politikë, e cila, në Kosovë do të ishte krejt ndryshe. Të paktën do të kishte proporcione të tjera hapësinore.

Kosova nuk është çiflig as i Thaçit, as i Mustafës, as i Kurtit dhe as i Veselit. Aq më pak i Osmanit. Ata e kanë rradhën  të qeverisin njëri pas tjetrit, dikush më i suksesshëm dhe dikush tjetër më pak, por gjithsesi të përkohshëm, dhe  kjo nuk do të thotë se janë të përjetshëm në qeverisjen e tyre. Më mirë se gjithë të tjerët, këtë e dinë ata vetë.

Ata, secili prej tyre, është e mundur që të luajnë me prona dhe tenderë, të vënë pasuri dhe të shpërrallisin për patriotizëm, por, shumë herë më tepër se një klan opozitar përreth tyre, ata, të cilët drejtuan jo shumë kohë larg kësaj që po ndodh tre institucionet më të rëndësishëm të Kosovës,në të shkuarën ,  kanë dëshmuar më tepër përkushtim se sa disa “trima lëdëkëistë” , të cilët në kohën e pushtetit të tyre e kishin për nder të ishin pjesë e bashkim-vëllazërimit serbo jugosllav. Apo edhe se nga rendësit e frymës së re historike.

Kosova ësht mbi të gjitha krijesë e shteteve perëndimore dhe e politikës së tyre për Ballkanin. Duke u nisur nga lufta që ndodhi në Kosovë, dhe, pa këtë luftë nuk do të kishte ndërhyrje euroatllantike, ata synuan dhe arritën disa gjëra njëherësh, njëri nga të cilët do të ishte vendosja e kufirit të influencës ruse në kufirin verior të Kosovës.

Në rreth 23 vite shtetet perëndimore kanë investuar më tepër nga sa është pritur dhe kanë ngritur një shtet, ndonëse çalaman, jo fajin e tyre deri në fund, i cili nuk ka as luksin, as dobësinë për të falur në paqe atë që është fituar me luftën e përbashkët.

Çështja e Kosovës, megjithëse është shtruar në një tryezë dypalëshe , nuk është vetëm e tillë. Ajo, në paskenat e saj, ka aktorë të tjerë, të cilët nuk kanë menduar vetëm sot për tezën e ish Presidentit të Kosovës dhe jo nga dita e sotme po synojnë për të realizuar një sovranitet gjithnjë e më të fuqishëm.

Ka të dhëna të plota se, ajo që është diskutuar mes dy përfaqësuesve shtetërorë, është rrahur shumë herë në kancelaritë euroatllantike, është hapur jo vetëm si temë e nxehtë, por edhe si opsion për zgjidhje mes shteteve me qëndrime jo të njëjta, për të ardhur në këto ditë, kur gjërat po nxehen gjithnjë e më shumë dhe kur pritja bëhet e padurueshme.

Tagri i Hashim Thaçit ka qenë të përfaqësojë Kosovën në këto bisedime. Ky tagër sot i takon Albin Kurtit, si njeriu që, në mënyrë plebishitare, ndoshta edhe nga ngjarjet para rendëse, fitoi besimin për të qeverisur, dhe, kur themi “ për të qeverisur”, kemi në mendim edhe dialogun e vështirë, të lodhshëm dhe të gjatë për të ardhmen e shtetit të Kosovës, e ardhme, e cila nuk varet as nga shteti serb e as nga lëshimet apo kryeneçësitë tipike shqiptare.  Qëndrimi i opozitës së dikurshme,  që, ish Presidenti i Kosovës të mos jetë drejtuesi i tyre, sado gabime mund të kishte bërë Thaçi në të shkuarën dhe ai ka bërë, është si të kërkosh të lash duart dhe nesër të dalësh me teza nacionaliste, sikur vetëm qënia e tyre do të sillte një Kosovë dy herë më të madhe.

Të mos bëhemi të paditur: rolin e prijëtarit, duam apo nuk duam, Hashim Thaçi e kishte marrë edhe kur ka qenë ndoshta i panjohur, si në Rambuje, e jo më kur ishte në postin më të lartë të institucioneve të Kosovës. Rolet ndërrojnë shpesh herë në politikë. Tani, të tjerë kanë postet më të larta të shtetit të Kosovës dhe këtë shtet ata e morën të pacenuar. Dhjetra vetë rrahën gjoksin se ishin pikërisht ata që e shpëtuan Kosovën nga copëtimi i dyshes Rama – Thaçi; zëra shumë të afërt me shefin e qeverisë së Kosovës kanë shpallur tradhtarë dy figurat e njohura të politikës, zërat kundër bashkëpunimit me Shqipërinë janë rritur aq shumë, sa që të kujtojnë kohëra të tjera; mendimi i përbashkët politik ka heshtur dhe, çuditërisht, roli i atyre që u bënë prijës në kohë të vështira synohet të njësohet me akuzën e padrejtë dehe të padenjë që kanë bërë organet e specializuara.

Nëse opozita kishte drojën se Thaçi mund të bënte lëshime në dëm të Kosovës, ishte  më e frytshme të jenë aty, ta ndalojnë në kohën e duhur dhe, nëse ai nuk do të kishte zgjidhje tjetër, ata të bëjnë të mundur përballjen e tij masive me opinionin publik. Por, të kërkosh njohje dhe të mos ballafaqohesh me të vërtetën , dhe kjo është një: asnjëherë, në asnjë diskurs publik apo në takime të nivelit të lartë Thaçi, në rolet që ka pasur, nuk ka kërkuar , as elaboruar ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve, e aq më pak lirinë e tij në dëm të saj.

Politika për Kosovën bëhet më shumë jashtë Prishtinës, se sa në Prishtinë. Ajo  i ka rrënjt nganjëherë shumë larg saj dhe nuk janë nga ato rrënjë që mund t lëvizin nga dëshira e një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe Presidenti i Kosovës. E as shefi i qeverisë. Ka ardhur koha që ata vetë ta provojnë këtë maksimë politike.

Kosova e ka shpallur pavarësinë me propozimin e Kuvendit të saj dhe jo pa mbështetjen e atyre shteteve që qëndrojnë sot mbësjhtetës të qëndrimit të shtetit të pavarur të Kosovës, pa i hequr asaj asnjë pjesë tokësore.

Si duket, mesazhi i ardhur nga Thaçi mund të jetë i nisur nga shumë larg, aq më tepër kur ai shoqërohet edhe dy mesazhe të tjerë, të cilët, analistët dhe opozita në Shqipëri, as nuk ka dashur dhe as nuk do t’i lexojë: nuk do të ketë ndryshime kufijsh, nuk do të jetë në diskutim asnjë metër katror tokë e Kosovës, pra, nuk do të ketë ndarje.

Do të ketë përpjekje për një rishikim të kufirit. Nëse Thaçi do e  synimin e tij, atëherë do e kishte  hak kujtesën e vendit të tij. Dëshira dhe synimi i tij për të bashkuar Kosovën Lindore me trungun nga ishte shkëputur ishte fisnike dhe e denjë..

Ajo për të cilën bëhen merak analistët duke i qarë hallin gjithë botës, Kutinë e Pandorës së kufijve, nuk është në dorën e Hashim Thaçit, as të hapet, as të mbyllet e, as të hapet paksa, veç për Kosovën.

Në fund më lejohet të sjell fjalët e një miku tim , jashtëzakonisht të vyer, të cilit i kam besuar dhe do i besoj gjithnjë, pjesë e herëshme e lëvizjes çlirimtare, i cili vjen pikërisht nga trevat e Kosovës Lindore, Halil Selimi.

Ai shkruan se:

Presheva kërkon trajtim serioz dhe zgjidhje politike të mirëfilltë!

Vetëm rikthimi në Kosovës është zgjidhje!

Mos të guxojë askush të tallet publikisht,e as fshehtas me të drejtën historike, kombëtare dhe politike të një krahine dhe të një popullate të tërë, etnikisht e territorialit pjesë integrale e Kosovës, padrejtësisht e shkëputur nga tërësia territoriale gjithë shqiptare!

Nuk i lejohet askuj që të vazhdojë ta përdorë Luginën e Preshevës si strehim apo mashtrim politik, e cila, pikërisht si pasojë e mashtrimeve të vazhdueshme historike për kusuritje edhe ka mbetur deri sot nën Serbi!

Lugina e Preshevës (Kosova Lindore) ka mbajtur një referendum gjithë popullor më 1-2 mars 1992, ku shprehet qartë vullneti politik për Autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Kush është ri zgjuar kombëtarisht dhe politikisht, le të mbështesin vetëm këtë vendim plebishitar të kësaj popullate liridashëse, pa spekulime politike apo interesa individuale, kushdo dhe kudo qofshin ata.

Me mendimin e tij bashkohem plotësisht.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit