-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shën Stefani ende me dyer të mbyllura

Kryesoret

“Kur shoh grilat dhe dyert e mbyllura në Shën Stefan, më pushton trishtimi, sepse pesëdhjetë vjet më parë, ai qytet-hotel fitonte çmime botërore, ndërkaq tash nuk funksionon”, thotë vendasi Vladimir Mitroviq, 87-vjeçar.

Para gjysmë shekulli, në kohën e famës botërore të Shën Stefanit, ai ishte drejtor i tij. Faktin që marka më e njohur e turizmit malazez është mbyllur për sezonin e dytë, ai e konsideron të dëmshëm për reputacionin turistik të vendit.

“Kur shëtis deri te Shën Stefani, përmes parkut të Miloçerit, shoh se është lënë pas dore, në plazhe tregtohet, nuk ka shërbime dhe roje plazhi, ndodh që aty piqen qebapët. Po dërgohet një mesazh shumë i dëmshëm për turizmin malazez”, thotë Mitroviq për Radion Evropa e Lirë.

Si u arrit në këtë pikë?

Hotelet ekskluzive Shën Stefani dhe Miloçer, pastaj Plazhi i Mbretëreshës, ku po ndërtohet një objekt i ri me vlerë rreth 70 milionë euro, janë marrë me qira afatgjate që nga viti 2007, fillimisht nga Aman Resorts e Singaporit dhe më pas nga biznesmeni i kompanisë greke Adriatic Properties, Petros Statis.

Hotelet në atë kohë ishin pjesë e kompanisë hoteliere “Riviera e Budvës”, kryesisht pronë shtetërore dhe kontrata u nënshkrua në kohën kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ishte në pushtet.

Resortet Aman (Aman Resorts) nuk i hapën hotelet as verën e kaluar. Kjo u parapriu protestave të disa vendasve dhe drejtuesve të pushtetit vendor nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.

Ata kundërshtuan ndërtimin e pronave të paluajtshme në kuadër të hotelit të ri Plazhi i Mbretëreshës dhe kërkuan qasje të pakushtëzuar në plazhet e hoteleve me qira. Ata u futën në kantier dhe shembën gardhin e plazhit.

“Urgjentisht duhet gjetur një zgjidhje për hapjen e hotelit dhe zgjidhjen duhet ta gjejnë ata që janë më të përgjegjshmit”, thotë Mitroviq.

Kryeministri Abazoviq për Shën Stefanin

Megjithatë, tash për tash, nuk ka njoftime nga Qeveria e Malit të Zi se hapja e hotelit është në horizont, ndonëse kryeministri Dritan Abazoviq thotë se opsioni më i keq është që Shën Stefani të mbetet i mbyllur.

“E kam nisur çështjen, në mënyrë që në disa modalitete Shën Stefani të mund të kthehet në pronësi të shtetit 100 për qind dhe që përmes vendimit të Qeverisë, ndoshta Parlamentit, të shpallet si e mirë e veçantë që nuk tjetërsohet, kjo është ideja e Qeverisë”, u ka thënë Abazoviq gazetarëve më 10 qershor.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur kabinetin e Abazoviqit dhe Qeverinë se për cilat modalitete bëhet fjalë, çfarë hapash duhet të ndërmerren për këtë qëllim, në cilat instanca dhe në çfarë afati, por përgjigja ka munguar.

Çfarë mund të bëj gjykata?

Ndërkohë, hotelet e famshme janë bërë objekt padish nga pronarët dhe qiramarrësit.
Kompania Adriatic Properties paditi Ministrinë përkatëse, grupin e hoteleve (HG) “Riviera e Budvës” dhe shoqërinë aksionare (AD) “Hotelet Shën Stefani”, në një gjykatë arbitrazhi në Londër.

Kompania “Hotelet e Shën Stefanit” është pronare e hoteleve të dhëna me qira, e cila është krijuar me ndarjen nga HG “Riviera e Budvës”, në vitin 2019. Pronari kryesor i të dyja kompanive është shteti i Malit të Zi.

Ndër pyetjet që Radio Evropa e Lirë ia ka drejtuar Adriatic Properties, janë: se sa e vlerësojnë kompensimin që pretendojnë në padinë e tyre, si dhe kur planifikojnë të hapin hotelin.

“Rregullat e procesit të Arbitrazhit në Londër kërkojnë që të gjitha palët në procedurë të ruajnë konfidencialitetin, kështu që avokatët këshilluan të mos u përgjigjemi pyetjeve ose të japim komente që mund të shkelin rregullat e arbitrazhit”, thuhet në përgjigjen e Adriatic Properties.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviq tha për mediat në Mal të Zi se shpreson të ketë sukses në periudhën e ardhshme për të dalë nga ‘marrëzitë ligjore’ dhe ndoshta të gjendet një model për t’u hapur Shën Stefani.

Duke iu përgjigjur pyetjes së drejtpërdrejtë nëse është në kontakt me qiramarrësit, gjegjësisht, a ka humbur ky sezon turistik, duke pasur parasysh se tashmë është fundi i qershorit, ministri Gjuroviq tha:

“Kur jeni në proces arbitrazhi, atëherë është shumë e vështirë të bësh ndonjë negociatë”.

Kujtojmë se presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në prill të vitit 2021, deklaroi se “arbitrazhi mund të nënkuptojë të paktën 100 milionë euro dëm për buxhetin e Malit të Zi”.

Biznesmeni serb i interesuar për t’i blerë hotelet

Përderisa arbitrazhi po vazhdon, ndërkaq turistët sërish janë në pritje të hapjes së hoteleve të mbyllura, arrin një ofertë për blerjen e tyre.

Kompania MKG Properties, anëtare e Grupit MK në pronësi të biznesmenit serb Miodrag Kostiq, më 14 qershor publikoi ofertën për marrjen e aksioneve të mbetura të kompanive “Riviera e Budvës” dhe “Hotelet Shën Stefani”, ka konfirmuar kjo kompani për Radion Evropa e Lirë.

Më herët, më 24 maj, MKG Properties bleu aksione shtesë në bursë, kështu që tani ka 32,20 për qind të aksioneve në “Rivierën Budva” dhe 31,25 për qind në “Hotelet Shën Stefani”.

Pas kalimit të pragut të pronësisë prej 30 për qind në këto kompani, kompania ka detyrimin ligjor t’u ofrojë aksionarëve të tjerë një blerje me të njëjtat kushte, pra 7.3 euro për aksion për “Rivierën Budva” dhe 3.85 euro për aksion për “Hotelet Shën Stefani”, thuhet në letër.

Blerja e shumicës së pakove të aksioneve do të kishte vlerën 61.5 milionë euro.
Qeveria tani për tani nuk ka marrë asnjë vendim për ofertën e biznesmenit Miodrag Kostiq, sepse duhet që fillimisht të bëhet një analizë e thellë dhe të konsultohen të gjithë faktorët relevantë, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviq.

Ai theksoi se në njëzet ditët e ardhshme Qeveria nuk do të dalë me qëndrim për shitjen e mundshme të aksioneve.

Për këtë reaguan demokratët në opozitë, duke thënë se nuk ka asnjë çmim që mat vlerën e thesarit kombëtar dhe se oferta “duhet refuzuar menjëherë dhe me vendosmëri”.

Ministri Gjuroviq u përgjigj menjëherë se Shën Stefani mbetet një pasuri kombëtare e mbrojtur e Malit të Zi “dhe se nuk do të shitet për 600 milionë euro”, dhe se MK Group kishte detyrim ligjor të bënte një ofertë për aksione të tjera, pasi kishte përvetësuar më shumë se 30% të pronësisë.

“Kjo nuk e obligon askënd që t’i shesë. Kryeministri Dritan Abazoviq ka theksuar vazhdimisht se Shën Stefani do të mbetet një xhevahir në pronësi të Malit të Zi. Këtë nuk mund ta ndryshojë askush”, ka shkruar Gjuroviq në Twitter, më 16 qershor.
Oferta e MKG Properties është e vlefshme deri më 5 korrik.

Cila është situata aktuale në plazhet ekskluzive?

Plazhet që gravitojnë në hotele ekskluzive janë dy plazhet e Shën Stefanit dhe dy plazhet e Miloçerit.

Për dekada, ato ishin të destinuara kryesisht për mysafirët e hotelit që paguanin çmimin më të shtrenjtë në rivierë për një natë, por edhe për të tjerët që mund të përballonin njëqind euro në ditë për shërbimet e plazhit.

Aktualisht, qasja në plazhe është falas, por ato janë të parregulluara, pa shërbime plazhi dhe pa oferta hoteliere.

“Nuk do të lejojmë që të na përsëritet sezoni i kaluar. Nëse pronat e Adriatic Properties nuk i rregullon plazhet sërish, ne do ta bëjmë këtë, në mënyrë që vendasit dhe turistët të mund t’i përdorin ato”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blazho Ragjenoviq nga “Të mirat e detit” (Morska dobra), kompani kjo që e menaxhon bregdetin.

Ai shton se Adriatic Properties u ka paguar qiranë e vitit të kaluar, e cila ka qenë rreth 75 mijë euro për katër plazhe, pa TVSH./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit