67 shtetas të huaj refugjatë janë ndaluar të hyjnë ilegalisht në Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.
Refugjatët janë ndaluar në vijën e gjelbër të pjesës së Republikës së Shqipërisë në drejtim të Kosovës.
Policia kufitare është duke hetuar rreth personave të mundshëm për kontrabandim me refugjatët në fjalë.
“Sot me datë 19.06.2022, rreth orës 16:50, Policia Kufitare (DRPK), konkretisht Stacioni policor për mbikëqyrje kufitare- SPMK Vermicë, ka pranuar informatën se në vijën e gjelbër të pjesës së Republikës së Shqipërisë, në drejtim të Kosovës, janë vërejtur disa dhjetëra refugjatë”, njoftoi Policia e Kosovës.
“Me të pranuar informacionin menjëherë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Policinë homologe shqiptare është hartuar një plan taktik për parandalimin e tyre që mos të lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës. Sipas informacioneve patrullat homologe të Policisë së Shqipërisë, deri më tani kanë ndaluar 67 shtetas të huaj (refugjat) ilegal dhe janë duke u marrë me trajtimin e tyre”.
“Po ashtu, autoritetet policore kufitare janë duke bashkëpunuar ngushtë në zbulimin e mundshëm të ndonjë personi/personave të cilët mund të kenë qenë duke i kontrabanduar viktimat në fjalë”, përfundon njoftimi.