E ndërsa avokatët janë në bojkot, në pritje të vendimit të qeverisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë pozicionohet pro hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ.
Shoqata shprehet se një ndër synimet e drejtësisë së re ka qenë ndërtimi i një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike dhe sipas tyre këtë e siguron harta e re gjyqësore.
“Reforma në sistemin e drejtësisë, e mbështetur që në krye të herës nga ana e Shoqatës me mendime dhe nisma propozuese, si një ndër qëllimet e saj kryesore ka ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike.
Për ta realizuar këtë lipset projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt.
Edhe pse procesi i vettingut krijoji boshllëqe të mëdha në pushtetin gjyqësor kjo nuk e zbehu aspak, përkundrazi e shtoi vendosmërinë e subjekteve të angazhuara në procesin e skicimit të hartës së re gjyqësore, e cila do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson maksimalisht punën gati tre vjeçare të udhëhequr deri më tani nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me analizën dhe projektimin e hartës së re gjyqësore. Gjithashtu, Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë.
Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument.
Për këtë shkak, ajo mbështet dhe inkurajon miratimin sa më parë të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë.
Së fundi, Shoqata shprehet e angazhuar që, si gjithmonë, të mos e kursejë ndihmën e saj për çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardit të dhënies së drejtësisë në vendin tonë” mbyllet reagimi. Prej javës së kaluar avokatët janë në bojkot kundër hartës së re gjyqësore.
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.
Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun.
Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia.
Harta e re iu dërgua ministrisë së Drejtësisë me 10 qershor nga KLGJ. Tani fjalën e fundit e ka qeveria.