Një banesë është përfshirë nga flakët mbrëmë pasmesnate në Gjakovë, ku si pasojë një e mitur ka vdekur. Policia në Gjakovë ka konfirmuar rastin.
“Me datë 20.06.2022 rreth orës 01:37, Stacioni Policor-Gjakovë ka pranuar informatë për një zjarr që kishte përfshire një banesë në rrugën ‘Yll Morina’ në Gjakovë.
Patrulla policore ka konfirmuar zjarrin ku ishte duke u djegur një banesë në një bllok banesor. Zjarrfikësit kanë dalë në vend e ngjarjes dhe është bërë evakuimi i banorëve”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elazaj.
Policia ka bërë të ditur se trupi i 11-vjeçares është gjetur pas shuarjes së zjarrit.
“Në banesën në fjalë pas shuarjes së zjarrit është gjendur trupi i viktimës femër/kosovare lindur në vitin 2011 për të cilën ekipi mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj.
Njësitet relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit me rekomandimin e të cilët është iniciuar rast ‘Hetim i Vdekjes’ dhe ‘Zjarrvenje’. Trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, tha Elezaj.
Bëhet e ditur se zjarrfikësit kanë arritur t’i shpëtojnë dy persona të tjerë.