Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ashpër me anë të një postimi në Facebook pas lajmit të mediave greke se kryebashkiaku i ishullit të Korfuzit, George Machimaris, ka propozuar furnizimin me ujë të ishullit nga burimi i Syrit të Kaltër në Sarandë.
Zhupa e konsideron një marrëveshje të tillë si papërgjegjshmëri dhe çmenduri të qeverisë Rama.
Zhupa thotë se Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin e zonës së mbrojtur nga viti 2002. Sipas saj, punimet, ndërhyrjet dhe tubacionet do të ishin kategorikisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore.
Postimi i Ina Zhupës:
Deputetja demokrate e Sarandes Ina Zhupa: Të transferojnë ujin e burimit nëntokësor të Syrit të Kaltër në Greqi, kjo mund të jetë papërgjegjshmëria dhe çmenduria e radhës e Qeverisë Rama!
Media greke ERT NEËS tregon se po përgatitet një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor Greqisë. Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris ka ngritur sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria: “Me ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne i jemi nënshtruar një propozimi/memorandumi teknik për furnizimin me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë në konsideratë dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studime ekzistuese si ai i Politeknikut (1991).”
Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore. Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm por ska shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër. Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!