Kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ka shpresë se negociatat do të hapen nesër në Bruksel për shkak të vetos bullgare. Por zv/ kryeministri Arben Ahmetaj shprehet se do të besojnë deri në minutën e fundit.
“Po, shpresa është e madhe dhe tani ne besojmë deri në fund që do të kemi lajme pozitive.
Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe jemi gati të fillojmë negociatat me BE-në” tha ai.
Shanset janë të pakta, pasi pavarësisht thirrjes së opozitës në Bullgari, qeveria ende nuk ka vendosur për dritën jeshile.
Gjithashtu sot zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, u shpreh se është kaluar një draft marrëveshje me Italinë për një shumë prej 30 milionë eurosh për përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë.
Ahmetaj mes të tjerash u shpreh se në javët që vjen do të pasohet me një tjetër kredi prej 30 milionë eurosh, për sektorin e bujqësisë, kryesisht tek peshkimi dhe 30 të tjera për mirëmbajtjen dhe rifreskimin e flotës së emergjencave civile.
“Një shumë prej 30 milionë eurosh për rrjetin e energjisë elektrike në veriun e Shqipërisë. Pjesë e angazhimit prej 90 milionë euro kredi. Do pasohet me 30 milionë tjetër për kredi për peshkimin dhe 30 milionë tjetër për rifreskimin për flotën e emergjencave civile” tha Ahmetaj.