Eno Bozdo nga selia e PD-sw u shpreh se Shqiperia referuar Eurostat është e fundit në Europë sa i takon të ardhurave për frymë. Bozdo, anëtar i Kryesisë së PD akuzoi se qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde negative. Bozdo tha mes të tjerash se Shqiperisë i duhet një shekull për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Eurostat, në një klasifikim të fundit, e rendit vendin tonë në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021.Që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian.
Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak.Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina.Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria.Serbia 12 pikë më lart.Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE.
Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit.Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare.Pra, siç shihet “qentë lehin, por karvani nuk bën përpara”. Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë” tha ai.