Kuvendi ka nisur në seancën e sotme si gjithmonë me debate. Shkak është bërë futja në rendin e ditës e aktit normativ për kompensimin e rritjes së çmimeve për kompanitë që kryejnë punë publike.
Petrit Vasili tha se kjo është në shkelje të rregullores, pasi nuk ka kaluar në të gjitha komisionet për dhënie mendimi.
Taulant Balla nga grupi i PS ra dakord dhe kërkoi që të shtyhet për në 30 qershor, pasi akti normativ duhet të miratohet brenda 45 ditëve.
Enkelejd Alibeaj e cilësoi shkelje futjen në rendin e ditës dhe pranoi shtyrjen e këtij akti.
“Për pjesën e shtyrjes po, rregullorja kërkon që të merret mendimi i të gjitha komisioneve, kur ta përcaktoni ju seancë, do të diskutohet” tha Alibeaj.
“Shtyhet për seancën e ardhshme, që kondiciohet që duhet të kalohet brenda 45 ditëve” tha Lindita Nikolla.