Kryeministri Edi Rama ka falënderuar liderin e opozitës bullgare Boyko Borissov për rolin e partisë së tij në heqjen e vetos që vendosi sot Kuvendi.
Kreu i qeverisë shqiptare e cilëson Borissovin lider të vërtetë, që shpëtoi jo vetëm fytyrën e Bullgarisë, por edhe BE-së. Tani, Edi Rama i kërkon BE-së që të veprojë shpejt për të vendosur datën për konferencën e parë ndërqeveritare.
Just got a call from @BoykoBorissov. I couldn't thank him enough for his kind thought to call me,but could thank him for his defining role in getting rid of the VETO in parliament! Real friend,real leader.His party GERB&Others saved the face of Bulgaria&EU!Now EU should act fast!
— Edi Rama (@ediramaal) June 24, 2022
“Sapo mora një telefonatë nga @BoykoBorissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament!
Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt” shkruan ai.
Edhe Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e parlamentit të Bullgarisë për të hequr veton për Maqedoninë duke i hapur kështu rrugën drejt BE-së edhe Shqipërisë.
Por tashmë duket se është hapur një tjetër problem. Maqedonia ka rezerva për propozimin francez. Një gjë të tillë e paralajmëroi dje kryeministri Kovaçevski dhe sot e ka konfirmuar ministri i Jashtëm Bujar Osmani.
Ai tha se qëndrimet e Shkupit janë dërguar në Presidencën franceze dhe se në periudhën e ardhshme duhet parë se çfarë zgjidhje do të vijë prej andej.
“Pas këtij vendimi të parlamentit bullgar dhe qëndrimit tonë të prezantuar dje zyrtarisht dhe publikisht nga kryeministri Kovaçevski, dhe më parë edhe nga presidenca franceze, do të shohim se çfarë qasje do të ketë Presidenca franceze”, tha Osmani.
Propozimi francez thekson se Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të këshillit për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën maqedonase “ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe”.