Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, ku u trajtuan tensionet e fundit në rajon dhe incidentet që lidhen me hapësirën ajrore turke.
Erdogan theksoi gjatë bisedës se çdo shkelje e hapësirës ajrore të Turqisë është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet për asnjë arsye. Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të reaguar ndaj incidenteve të tilla, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë së territorit ajror turk.
Nga ana e tij, presidenti iranian Pezeshkian u shpreh se raketat që dyshohet se kanë hyrë në hapësirën ajrore turke nuk ishin me origjinë iraniane dhe se një hetim i plotë do të zhvillohet për të përcaktuar burimin e incidentit. Kjo deklaratë vjen pas neutralizimit të një rakete balistike nga mbrojtja ajrore e NATO-s, e cila kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë.
Erdogan, gjithashtu, theksoi se sulmet ndaj vendeve fqinje nuk i shërbejnë askujt dhe duhet të ndalen menjëherë. Ai nënvizoi se Turqia është e angazhuar për rihapjen e kanaleve diplomatike dhe për mbështetje të iniciativave që synojnë uljen e tensioneve dhe promovimin e dialogut në rajon.









