Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për “France24” ka përsëritur qëndrimin e tij të mbajtur në Samitin e Bashkimit Evropian se mos hapja e negociatave është një premtim i pambajtur nga unioni.
Ai këmbënguli në deklaratën e tij se tashmë nuk është më i frustruar dhe se tani ndjen vetëm keqardhje për BE-në.
Sipas Ramës, Shqipëria ka bërë progresin e duhur, por BE është vonuar në formësimin e të ardhmes evropiane.
“Në Samit ishin të gjitha shtetet e unë nuk dëgjova asnjë prej tyre që nuk shprehu pendesë për paaftësinë e përmbushjes së premtimeve”, tha kryeministri.
Numri një i Qeverisë shqiptare ravijëzoi se Bashkimi Evropian dhe Evropa janë dy gjëra të ndryshme.
“BE është një projekt një vizion dhe Evropa për ne shqiptarët është besim”.
Për të e rëndësishme mbetet krijimi i një “BE-je brenda Shqipërisë” dhe jo anëtarësimi apo mosanëtarësimi i saj.
I pyetur për qëndrimin e tij ndaj liderëve evropianë të cilët i dhanë statusin e kandidatit Ukrainës, Rama kishte një përgjigje të qartë.
Ai e përshkroi statusin e kandidatit në bllok si “një lloj pilulë antidepresive” për të rritur moralin e vendeve, por tha se ndjente vetëm “të drejtë të njihte ukrainasit si një komb që po bën shumë për ne”.
Në përmbyllje Rama sërish risolli në tryezë fjalinë e tij krahasuese ku shprehet se: Putin është shumë sëmurë, por Brukseli nuk duket shumë i shëndetshëm.