Besim Hyseni nuk dëshiron të flasë shumë për humbjen e djalit, por thotë se tragjedi si ajo e tij duhet të parandalohen. Rijad Hyseni, 14 vjeç, humbi jetën në mars të këtij viti, pasi u ther me thikë në shkollën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë. Sulmuesi i dyshuar është po ashtu i mitur dhe rasti kundër tij është duke u zhvilluar.
Hyseni thotë se Rijadi ka qenë i qetë dhe se nuk ka pasur kurrë probleme me askënd. I rrënuar nga dhimbja, ai thotë se ka vetëm një thirrje – që prindërit të jenë më të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre.
“Të rrinë më shumë me ta, të flasin më shumë me ta… Le të flasin çdo ditë për atë që kanë bërë në shkollë, me kë kanë biseduar, a kanë pasur ndonjë problem, ku kanë qëndruar pas orarit të mësimit etj”, thotë ai.
Në Kosovë, blerja e një thike sulmuese mund të bëhet edhe përmes rrjeteve sociale. Ka faqe publike në Instagram me fotografi të produkteve që i ofrojnë dhe me çmimet e poshtëshënuara.
Edhe pse, sipas shënimeve, ato u ofrohen personave mbi 18 vjeç, nuk është e qartë se si vërtetohet mosha e të interesuarit apo e blerësit eventual. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa administratorë të këtyre faqeve, të cilët kanë thënë se të interesuarit i pyesin për moshën, por nuk kanë treguar nëse e konfirmojnë atë dhe si.
Lëshime në këtë drejtim duket se ka – së paku në disa raste. REL ka biseduar me një qytetar nga komuna e Skënderajt, i cili ka treguar se vëllai i tij, 12 vjeç, ka blerë thikë përmes një faqeje në Instagram. Ledioni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it – e ka porositur thikën online dhe të njëjtën e ka pranuar pas tri ditësh.
“E kam parë rastësisht me thikë dhe e kam pyetur: ku e ke marrë? Ai ka refuzuar fillimisht të tregojë, por më vonë më ka treguar për të gjitha detajet”, ka thënë vëllai i tij, 24-vjeçar.
Sipas tij, Ledioni “ka bërë edhe pazar” me shitësin, ndërsa për moshën “nuk e ka pyetur askush”.
“Vetë vëllai e ka pranuar thikën, kur i ka ardhur me postë. As personat që ia kanë dorëzuar porosinë nuk e kanë pyetur për moshën”, ka thënë vëllai i Ledionit, por nuk është e qartë nëse dorëzuesit e paketës e kanë ditur se çfarë përmban ajo.
Sipas vëllait, Ledioni ka thënë se ka dashur të ketë thikë, “ashtu sikurse edhe shokët e tij”. Në shkollat e Kosovës dhe ambientet përreth, përveç rastit fatal të Rijad Hysenit, ka pasur këtë vit edhe qindra incidente të tjera, që kanë përfshirë përdorimin e thikave. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës për periudhën janar-maj, numri i incidenteve të raportuara në shkolla dhe përreth është 288.
“Nga rastet më të shpeshta të raportuara bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore, dëmtime prone, vjedhje e të tjera”, bëjnë të ditur nga Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Ata nuk japin detaje nëse dhe si mund të kontrollohet shitja e thikave në internet. Të premten e 24 qershorit, Policia e Kosovës ka njoftuar mediat se ka kryer një aksion në shkollat në Ferizaj, ku, mes tjerash, ka konfiskuar 40 thika – kryesisht te nxënës të shkollave të mesme. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, thotë se përdorimi i thikave në shkolla përbën shqetësim të madh, njëjtë sikurse përdorimi i substancave narkotike.
“Kemi shumë raste kur kontrollohen nxënësit në shkolla dhe te ta gjendet ar, thika… Ka pasur raste edhe pistoletë”, thotë ai.
Për të pasur një siguri më të madhe në shkolla, ai thotë se polica duhet të vendoset në një perimetër të caktuar pranë tyre.
“Shqetësimet më të mëdha të prindërve për fëmijët e tyre janë gjatë rrugës për në shkollë dhe kthimit për në shtëpi, si dhe në rrethinat afër shkollave”, thotë Demi.
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë pranojnë se çështja e përdorimit të thikave në shkolla është shqetësuese, por nuk thonë nëse kanë ndonjë plan konkret për adresimin e problematikës në fjalë. Sipas zyrtarëve të MASHTI-t, në shkolla ekziston protokolli për siguri, që sanksionon dhunën në institucionet arsimore.
“Për më tepër – për këtë çështje – instancat e ministrisë kanë kërkuar posaçërisht nga prindërit, por edhe psikologët e shkollave, që të merren më tepër me fëmijët dhe të jenë më të qasshëm në veprimtarinë e tyre, në daljet e tyre në rrugë ose kudo ku shkojnë ata”, thotë zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla.
Përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e fëmijëve, thonë se përgjegjësia për fenomenin e thikave në shkolla duhet ndarë midis prindërve dhe institucioneve arsimore.
“Ata që furnizojnë me thika, janë të fundit në zinxhirin e fajësimit”, thotë Florina Duli, drejtoreshë e organizatës “Terre des hommes Kosovo”.
“Pse oborret e shkollave janë gjithmonë të hapura dhe askush nuk mban përgjegjësi për krimet që ndodhin në ato oborre?”, pyet ajo.
Sipas saj, ka “shumë fenomene që ndodhin para syve të policisë”, por nuk specifikon cilat. Duli thotë se kontrolli i prindërve, po ashtu, duhet të jetë më i madh, pasi, sipas saj, ka fëmijë që shkojnë në shkollë me shuma të mëdha parash.
“Ka fëmijë me 500 euro në xhep… Dhe tani ky veprim – të qenët i fuqishëm – e bën pak edhe bulist. Kjo gjë e pandëshkuar ka bërë pastaj që pjesa tjetër të marrin thika, për të luajtur po ashtu rolin e një bullisti apo për të mbrojtur veten… për të treguar se edhe unë jam i armatosur dhe nuk mund të më kërcënoni”, thotë Duli.
Policia e Kosovës ka njoftuar edhe muajin e kaluar për një aksion në disa shkolla të Vushtrrisë, ku ka thënë se “ka sekuestruar shtatë thika, një boks hekuri, një pistoletë plastike dhe gjësende të tjera”. Gjatë vitit 2021, Policia e Kosovës ka evidentuar gjithsej 413 incidente në shkolla, përfshirë edhe therje me thika./ REL