Për të gjashtën herë me radhë, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin, duke e vënë në pah jo vetëm mungesën e konsensusit politik, por edhe mungesën e vullnetit për të respektuar përgjegjësitë institucionale që dalin nga vetë rezultati i zgjedhjeve.
Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.
Ai thotë se ngërçi institucional, që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit, po zgjatet në mënyrë të rrezikshme, duke thelluar krizën politike dhe duke e vendosur vendin në një rrugë të pasigurisë kushtetuese.
“Shiko, Kosova është tanimë e dërrmuar nga krizat politike, nga marrëdhëniet jo të mira me faktorët ndërkombëtarë, nga mungesa e zhvillimit, nga njëfarë forme stagnimi institucional dhe zhvillimor. Nga krizat e vazhdueshme, nga tensionet me Serbinë, nga mungesa e dialogut me BE dhe nga sanksionet e BE-së. Dhe nga zhvillimet e shpejta ndërkombëtare që po rrezikojnë qëndrueshmërinë edhe vendeve të tjera, jo vetëm të Kosovës.
Do të duhej të kishte një veprim tërësisht ndryshe politik institucional të Kosovës, që të jetë Kosova shumë e përgatitur për situata të reja, po ja që skena politike po vazhdon me avazin e vjetër të hipokrizisë dhe është vështirë të kuptohet saktë çfarë janë qëllimet e subjekteve të caktuara politike” tha ai.