Nga Bedri Islami
Pak ditë më parë, Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane, i drejtuar nga Leart Kola organizoi takimin më interesant dhe më të dobishëm mbi proceset e deritanishme në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ishin të ftuar pjesë të ekipit mbrojtës të akuzuarve, personalitete politike, specialistë dhe politikologë të njohur, përfaqësues të shoqërisë civile.
Që nga arrestimet e bujshme të liderëve nga më të njohurit e UÇK-së po bëhen dy vite dhe , me gjithë ngutjen për të dërguar në Hagë liderët politikë dhe shtetërorë të Kosovës, asnjë zhvillim dramatik nuk ka ndodhur dhe asnjë fakt tronditës nuk është shfaqur. Shkaku kryesor i ngritjes së dhomave të specializuara, trafikimi i organeve , ka rënë dhe nuk është në asnjë germë të aktakuzës së ngritur, e cila, si ndodh me motin në vjeshtë, po ndërron faqet dhe përmbajtjen e saj sa herë që zyra e Prokurorit Special e ndjen se po lëviz në një terren të rrëshqitshëm dhe më shumë të sajuar.
A u ngrit me dëshirën e deputetëve të Kosovës e gjithë kjo strukturë ndëshkuese veçmas për shqiptarët e Kosovës, apo e gjitha ishte lëvizur pas skenave të politikës, për të patur këtë dëshmi të tanishme?
E kam ndjekur nga afër gjithë procesin e ngritjes së Dhomave të Specializuara. Qoftë edhe si këshilltar i lartë politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Trysnia e rënë jo vetëm mbi atë, si figura më autoritare në Kosovën e pasluftës, ka qenë e jashtëzakonshme, e vazhdueshme, herë – herë perfide dhe, në raste të tjera , si nuk ka ndodhur kurrë më parë, detyruese. Raporti i Dick Martyt, hartuar në Beograd, nga zyra e Prokurorit të posaçëm serb dhe dorëzuar tinëzisht tek ish senatori zviceran ishte fillesa e shfaqur, por jo ajo që ishte e fshehur nën perdet e politikës. Politika në Kosovë, posaçërisht Thaçi, u vendos në dy tehe : ose ligji i posaçëm kushtetues do të miratohej nga parlamenti i Kosovës, ose, në rast të mos bindjes, ai do të miratohej nga Këshilli i Sigurimit , dhe do të ishte një ligj shumë më i ashpër. Do të ishte një ligj ndëshkues për gjithë luftën çlirimtare. Mes dy të këqija , pushteti dhe politika në Kosovë menduan se duhej miratuar njëra prej tyre, gjithnjë sipas besimit që u ishte afruar se, do të kishte trajtesë për krimet e supozuara individuale, dhe, asnjëherë, nuk do të kishte të bënte me strukturat komanduese, me përjashtim të rasteve kur vetë ndonjëri prej tyre do të akuzohej për krime vetjake.
Në takimin e zhvilluar nga Instituti i mësipërm, avokatët mbrojtës u ndalën disa herë në mos përfilljen e trupës hetuese dhe të prokurorisë ndaj mbrojtjes, të akuzuarve dhe zhvlerësimin e ligjeve të shtetit të Kosovës, të cilin, thuajse asnjëri nga kjo trupë nuk e njeh dhe as nuk ka ndër mend ta njohë, megjithëse ata njihen si organ kushtetues i vetë këtij shteti. Më shumë se një trupë hetuese ajo po i ngjan një organizate politike, e cila, më shumë se sa një trupë e pavarur, ngjan me një trupë thellësisht politike serbe, e cila, çuditërisht është komanduar në Hagë.
X x x
E gjithë historia e ngritjes së këtyre strukturave është e njohur. E njohur është edhe shuma marramendëse që është shpenzuar për këtë trupë nga shtete perëndimore dhe joshja nga fuqia e parasë së madhe duket se është e pranishme. Deri tani, më shumë se sa një ekip perëndimor, nën statusin e shtetit të Kosovës ajo i ngjan një trupe të komanduar të shtetit serb, që me çdo kusht kërkon fajësi, ka krijuar terminologjinë akuzuese që nuk është ndjekur deri më tani në asnjë lloj tribunali të ngjashëm në Hagë, mjerisht as në rastet e vërtetuara të kriminelëve serbë; përbuzja ndaj institucioneve të Kosovës, si u tha nga shumë mbrojtës, është e pa menduar dhe, për fat të keq, ata nuk i binden më as edhe ligjeve që e kanë krijuar atë.
Gabimi themelor i parlamentit të Kosovës është se nuk ka vendosur në mënyrë përcaktuese në ligjin e saj kushtetues se cilit organ parlamentar apo jashtë parlamentit duhet t’i përgjigjet kjo trupë, që, duke qenë e pavarur në hetimet dhe ngritjen e akuzave të saj, nuk mund të jetë e pavarur ndaj kushtetues ku është pjesë. Nuk ka asnjë strukturë që mund të kërkojë dhe të gjykojë anët procedurale të kësaj trupe, ata janë jashtë çdo institucioni dhe, në të njëjtën kohë mbi çdo institucion. Pra, një kushtetutë e vetë krijuar, mbi kushtetutën ku bëjnë pjesë. Duke qenë se shumë prej tyre kanë qenë në vite gjykatës apo hetues në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë, ku kanë bërë gabime e ndoshta faje të ndjeshme, është krijuar përshtypja dhe po shkohet drejt bindjes se, në shumë raste ata po nisen nga ndjenja e hakmarrjes primitive dhe politike, se sa nga e drejta e rezymimit të pa fajësisë. Me kohë, në mendjen e tyre, ata duket se e kanë gati pretencën dhe vetëm se pritet ta shpallin atë. Të ngutur për të bërë aktakuzën e tyre, megjithëse kishin shpallur se ajo do të formësohej që para një viti, ende nuk është e gatshme dhe avokatët mbrojtës kishin ankesën e tyre se, edhe pas dy viteve, njohuritë e tyre mbi ngjarjet, akuzuesit, dëshmitarët, ngjarjet dhe rrethanat ishin shumë të mangëta. Duket se dikush , brenda organit të akuzës , ndërsa nuk ngutet për të hartuar atë çfarë kishin premtuar, nguten për të mbuluar në mjegullën e tyre ato të dhëna që do të ndihmonin mbrojtjen për të qenë të përgatitur në një moment të nesërm. Pa folur për fshehje ose mbajtje në sirtar të provave shfajësuese, të shumta, të gjithë kohës së luftës, të cilat sjellin dëshmitë e sakta se trupa drejtuese e luftës, gjithë herë, në të gjitha rastet, edhe kur masakrat serbe kanë qenë të jashtëzakonshme dhe të përgjakshme deri në dhimbje të thellë, kanë bërë thirrje për vetë përmbajtje, jo hakmarrje dhe ndërtimin e një raporti të drejtë mes banorëve civilë serbë dhe fuqisë ushtarake serbe.
Shteti shqiptar, në mos drejtë për drejtë, ka qenë pjesë e akuzës fillestare, asaj të ish senatorit Marty dhe , bashkëpunëtores së tij, ish kryeprokurores së Zvicrës gjatë periudhës së luftës dhe, më pas, kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. Që të dy ata, thuajse në të njëjtën kohë , shpesh herë me terminologji të njëjtë, veçse përkthyer nga të ndryshëm, akuzuan shtetin shqiptar si vendin ku ishin kryer trafikimet e organeve të civilëve serbë apo bashkëpunëtorëve të tyre, dhe, më pas, si shteti, në veriun e të cilit, UÇK-ja kishte ngritur disa nga vend arrestimet dhe vend burgimet e saj. Deri asaj kohe askush nuk kishte folur dhe as kishte menduar se në një shtëpi, e cila do të njihej më pas si “ Shtëpia e Verdhë, nga mjekë të UÇK-së , ose të tjerë, ishte bërë transplantim i organeve, dhe, për më tej, askush nuk kishte dëgjuar se në shtetin shqiptar ishin ngritur disa vend burgime, në të cilat kishte pasur keqtrajtime, deri në vrasje të personave që nuk kishin mbështetur luftën në Kosovë, kundërshtarë politikë, bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, apo edhe më tej, civilë serbë të zënë rob.
Shtetit shqiptar i binte përgjegjësia që në krye të herës të merrte mbi vete atë pjesë të barrës për sqarimin e së vërtetës, jo përmes propagandës në media, por konkretisht, përmes ngritjes së një strukture të posaçme, e përbërë nga njerëz të ditur, me autoritet, që njihnin jo vetëm luftën e zhvilluar, por edhe të vërtetat rreth saj.
Në fakt, deri më tani, asnjë qeveri nuk e ka bërë si duhet detyrën e saj; në radhë të parë për të sqaruar pozicionin real të shtetit, strukturave të tij, të vërtetën e asaj që ka ndodhur në territorin e saj verior, për çka akuzohej. Të ishte vetë shteti hetuesi i parë dhe, më pas, dëshmuesi real i së vërtetës. Nuk e kanë bërë këtë as qeveri e djathtë e Berishës, dhe as qeveritë e majta. Ka pasur patetizëm, lidhje të shkurtra, miqësi liderësh, por jo lidhje institucionale. Nganjëherë gjërat janë keqësuar edhe më tej. Atë që kishte paraqitur një institucion i rëndësisë së veçantë në kohën e drejtimit të shtetit nga e majta, e hidhte poshtë i njëjti institucion ku ai drejtohej nga e djathta. Zemërimi politik i Berishës ndaj Thaçit shkaktonte ndryshim informacioni dhe keqdashje ndaj reales që kishte ndodhur; ashtu si miqësia e vonë e krijuar në katërshen Berisha – Osmani – Kurti – Meta krijoi jo rastësisht alergji ndaj disa liderëve të luftës, arrestimi i të cilëve po pritej me dëshirë dhe gëzim të shfrenuar, thua se dërgimi i tyre në Hagë do të rrëzonte nga pushteti Edi Ramën.
A është vonë për të ndrequr atë që duket e pandreqshme?
A është e mundur që shteti shqiptar i Tiranës dhe, aq tepër, ai i Kosovës, të ndreqin atë që po përgatitet: gabimin fatal historik dhe , më tej, ndëshkimin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe vetë pavarësinë e Kosovës?
Të jemi të bindur: ata që janë dërguar në Hagë, për akuzat e bëra, janë njerëz që nuk bartin asnjë faj dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi. Këmbëngulja e organit të specializuar për të gjetur fajin e tyre në mos ushtrimin e komandimit unik është gjetje e gjilpërës në kashtë?
Si erdhi puna deri këtu, pra deri në çastin kur viktima synohet të ketë ri vrasjen e saj dhe vrasësi të shijojë këtë?
E gjithë ajo që thuhet nga strukturat jashtë Kosovës, se, “ nuk e kemi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por me individë të veçantë, që jashtë strategjisë së ndjekur, privatisht ose në grup kanë bërë krime”, është një përrallë që mund të nanurisë të vegjlit, të shpërblejë strukturat kundër luftës e njëkohësisht kundër lirisë, të dëmshpërblejë agresorin dhe të vendosë nënshtrimin e atyre që fituan një luftë të përgjakshme, e fundit luftë në kontinentin e vjetër, që i ngjante asaj që kishte ndodhur afërsisht në mesin e tij, me falangat naziste.
Asgjë nuk e ka dalluar nazizmin nga fashizmi nacionalist serb.
Në përfundimin e luftës, gjërat ishin të qarta, të dukshme dhe të prekshme. Rreth 15 mijë të vrarë nuk ishin varrosur ende si duhet, ata ishin mbuluar me dherat e Kosovës, por varre nuk kishin; më shumë se 2400 ushtarë të UÇK-së, ishin vrarë, rreth 2800 civilë ishin zhdukur; në mesin e të vrarëve më shumë kishte fëmijë, gra dhe pleq, se sa burra të aftë për luftë.
Kushdo i shihte krimet, të pranishme, të kudondodhura. Në më shumë se 2 mijë vendbanime nuk kishte mbetur më asgjë.
Krimi dihej, emri i kriminelëve njihej, pritej ndëshkimi. Por, të trullosur nga ideja e fitores, nga ngazëllimi se tani po niste një jetë ndryshe, ku do të ishin zot dhe ku krimi njihej dhe dihej se kush ishte bartësi, të gënjyer se përkrahja ndërkombëtare, pasi e kishin prekur krimin, do të ishte edhe më tej, shqiptarët në Kosovë harruan se, mbarimi i luftës kishte ndodhur vetëm për to, ndërsa për pushtetin serb, pavarësisht se kush qeveris, lufta sapo kishte ri filluar.
Shqiptarët e morën lehtë pasluftën. Deri asaj dite ata kishin njohur vetëm krimin serb, por nuk e mendonin se paslufta ka ligje dhe rregulla të tjera.
Naivësh menduan se lufta mbaroi, ne jemi këtu, serbët pushtues ikën, krimi dihet, kriminelët po ashtu, rrënoja e tragjedisë është e pranishme dhe kaq.
Ata harruan se mashtrimi është veti kombëtare serbe.
Të gjitha qeveritë dhe të gjithë parlamentet e Kosovës, që nga i pari dhe deri tani, herë i përbërë në shumicë nga ata që quheshin rryma e bisedimeve, shumë nga të cilët kishin qenë pjesë e mekanizmit pushtues serb, e deri tek i fundit, ku janë në shumicë dërmuese njerëz të ardhur nga lufta apo familje të njohura të luftës, nuk nxorën aktin themeltar të dëshmisë së krimeve: të merrnin vendimin parlamentar dhe të akuzonin Serbinë për atë që në fakt kishte ndodhur: Gjenocidin shtetëror serb mbi një trevë shqiptare.
Këtë tani duhet ta bëjë urgjentisht dhe me dinjitet të plotë shteti shqiptar, parlamenti i tij. Ndryshe, çdo vizitë në Hagë apo në familjet e atë akuzuarve është një qokë vetjake, e cila ka aq vlerë sa është edhe gjërat personale.
Por fillimisht këtë duhet ta bëjë qeveria dhe parlamenti i Kosovës.
Ata nuk e bënë kurrë këtë. Me gjithë këmbënguljen e shumë figurave të njohura politike të Kosovës, parlamenti dhe qeveria, njëherësh, kurrë nuk e menduan se duhej shpallur gjenocidi serb, jo përmes deklaratave politike apo artikujve mediatikë, por zyrtarisht, mbi bazën e një vendimi të posaçëm, të formulohej akuza, të mblidheshindëshmi dhe të paraqiteshin para botës, duke kërkuar dënimin e një shteti vrasës.
Të tkurrur nga trysnia ndërkombëtare, e cila po kërkonte rrugë paqësimi duke rënduar viktimën, secili politikan i nivelit të lartë heshti dhe tani ndjejnë pasgoditjen e pamenduar.
Kosova e pasluftës , më shumë se gjithçka tjetër, kishte nevojë për bashkëpunimin mes vetes.Shumë gjëra kishin ndodhur, tronditje të mëdha kishin kaluar, mëri të mëdha, deri në urrejtje ishin ngjeshur me njëra tjetrën, por nuk mund të ndërtohej shteti i ri duke pasur tronditje, mëri, hasmëri dhe urrejtje.
Nëse kjo frymë bashkëpunimi mes shqiptarëve dukej e natyrshme, ajo u duhej afruar edhe pakicave. Sidomos pakicave serbe që nuk e kishin implikuar veten në luftë, sado të paktë të ishin ato.
Në ditët e fundit të qershorit 1999, sapo lufta kishte mbaruar, Thaçi si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, në fakt një qeveri të cilën e njohën të huajt,por jo një pjesë e shqiptarëve, bëri një thirrje të pazakontë, duke u kërkuar serbëve të mos largohen nga Kosova dhe se, sëbashku, mund të bashkëjetojnë si të barabartë.
E mbaj mend mirë furtunën e ngritur kundër tij,megjithëse në ato ditë ishte lideri i pakontestueshëm. Më shumë u ngrefosen me nacionalizëm ata që sot duar trokasin akuzën dhe burgosjen ndaj tij.
Është ndër momentet e fundit që gjërat të dalin jashtë heshtjes së deri tanishme dhe apatisë politike, nënshtrimit ndaj trysnisë ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, dy parlamentet e qeveritë, bashkërisht duhet të ngritin strukturat e veçanta për të bashkërenduar punët, sqaruar rrethanat dhe ngjarjet, pasi në lojë nuk është vetëm jeta e atyre që ndodhen aktualisht në Hagë , apo e të tjerëve që mund të arrestohen në ditët e ardhshme, por e vetë kombit.
Kush nuk e ka mësuar ende këtë të vërtetë, ai rri kot në qeveri dhe më kot është i zgjedhur në parlamentet përkatëse./ Botuar në DITA