Për shumë dekada, amerikanët kanë qenë të ndarë mbi çështjen e debatueshme të abortit dhe mbi rastet se kur ai duhet të jetë i ligjshëm. Gjykata e Lartë e përmbysi ligjin ekzistues të premten, duke thënë se Kushtetuta nuk u garanton grave të drejtën për abort. Me këtë vendim çështja tani është kthyer tek votuesit. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim ndikimit që mund të ketë kjo çështje në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin.
Rrëzimi i rastit “Roe kundër Wade” është një nga vendimet më të rëndësishme të Gjykatës së Lartë në historinë e dekadave të fundit të Shteteve të Bashkuara. Vendimi i dha fund të drejtës kushtetuese për abortin dhe ua kthen këtë çështje shteteve të veçanta për të vendosur. Kjo nxiti reagimin e Presidentit Joe Biden, i cili bëri thirrje për mbrojtjen e së drejtës për abort.
“Duhet të rikthejmë mbrojtjen e të drejtës për abort që ofronte rasti “Roe kundër Wade”, duke e bërë atë ligj federal. Ne duhet të zgjedhim zyrtarë që do ta bëjnë këtë. Këtë vjeshtë, çështja e abortit do të jetë në fletëvotim. Liritë personale do të jenë në fletëvotim”, tha Presidenti Biden.
Për dekada, mosmarrëveshjet mbi të drejtat e abortit kanë motivuar votuesit demokratë dhe republikanë të marrin pjesë në zgjedhje. Premtimi për të emëruar gjyqtarë me prirje kundër abortit në Gjykatën e Lartë ishte një faktorë kyç në fitoren e kandidatit republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Unë do të emërojë gjyqtarë pro-jetës, çështja do të kthehet tek shtetet.”
Ish-presidenti Trump emëroi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë gjatë mandatit të tij si president dhe secili prej tyre, gjatë seancave dëgjimore, tha se “Roe kundër Wade” ishte një ligj tashmë i vendosur, por kur u konfirmuan, ata votuan kundër tij.
Tani që “Roe kundër Wade” është përmbysur, a do të jenë të motivuar votuesit konservatorë? Ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve thonë se ka ende shumë beteja për këtë çështje në nivel shtetëror.
“Puna për të mbrojtur më shumë jetën sapo ka filluar, sepse vendimi i Gjykatës së Lartë, që përmbysi rastin Roe kundër Wade, duke korrigjuar atë vendim të gabuar, më në fund i lejon shtetet dhe Kongresin të mbrojnë jetën në mënyra që ne nuk mund ta bënim në 50 vitet e fundit”, thotë ligjvënësi republikan Steve Scalise.
Kjo qasje motivon votuesit e rinj konservatorë si Anna Lulis.
“Është shumë e rëndësishme të nxisim miratimin e ligjeve pro-jetës. Ajo që do të shihni në Amerikë pas rrëzimit të rastit Roe kundër Wade është ndoshta një polarizim midis shteteve”, thotë ajo.
Në një sondazh të Universitetit Monmouth, të publikuar muajin e kaluar, 48% e votuesve demokratë thanë se qëndrimi i kandidatëve mbi çështjen e abortit është një çështje kyçe në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se pret që ligjvënësit republikanë të përpiqen të vendosin më shumë kufizime për abortin.
“Nëse zgjidhni më shumë republikanë që mbështesin ideologjinë e ish-presidentit Trump, ndalimi i abortit do të përhapet në mbarë vendin, gratë dhe mjekët do të jenë në shënjestër të hetimeve penale dhe gratë nuk do të lejohen të bëjnë abort edhe në raste kur ato janë viktima të përdhunimit dhe incestit”, tha ai.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se ishte thelbësore që demokratët të ruajnë shumicën.
“Republikanët po komplotojnë një ndalim mbarëkombëtar të abortit. Ata nuk mund të lejohen të kenë shumicën në Kongres për ta bërë këtë. Por ky është qëllimi i tyre”, tha ajo.
Ende nuk është e qartë se sa do t’i motivojë votuesit kjo çështje. Jashtë gjykatës, një mbështetëse e të drejtës së abortit shprehu dyshime rreth ndryshimit që do të bënte zgjedhja e më shumë demokratëve.
“Në teori, çështja Roe kundër Wade është në fletëvotim, në realitet, do të duhen 60 senatorë demokratë për të miratuar një ligj për të drejtën e abortit”, thotë Anabelle, një mbështetëse e të drejtës së abortit.
Sipas një sondazhi të gazetës “Politico” dhe kompanisë “Morning Consult”, të kryer pas vendimit, 40 për qind e publikut amerikan e kundërshton fuqishëm përmbysjen e rastit Roe kundër Wade./VOA