Tre vite qëndroi mjeku Muharrem Rama në krye të bashkisë së Dibrës, ndërsa tashmë ajo periudhë po e përndjek, pasi sot përfundoi në SPAK për procedurat e një tenderi. Ai u zgjodh në 2016, pasi Shukri Xhelili qëndroi vetëm një vit për shkak të një afere seksuale duke u shkarkuar. Por Rama nuk e kishte aspak të lehtë qeverisjen në bashki.
Ajo që “ziente” nga brenda shpërtheu një ditë të bukur në parlament në 2017, kur deputetja Reme Lala, që është e bija e Ymer Lalës, i njohur për influencën në Dibër dhe lidhjet me PS-në e goditi në parlament.
“Një ose dy dite në jave shkon kryetari i bashkisë në bashki nga 20 minuta dhe atëherë pasi të ketë pirë nja 5 dopio raki. Dhe ato pak shkresa që firmosen që janë në interesat e kryetarit e rrethit të ngushtë shoqëror të tij, janë të njollosura me yndyrë qoftesh dhe të lagura nga rakia, sepse firmosen nëpër qebaptore” tha Reme Lala në 2 nëntor 2017 në Kuvend.
Të nesërmen, në 3 nëntor, përgjigja e Muharrem Ramës ishte më ashpër. “Po i përgjigjem shkurt zonjushës Lala, të bijës së Ymer Lala për të gjithë ju që e njihni, jo duke e sulmuar me të vetmin argument “shpifjen” ashtu si ajo keq e nisi fjalimin e saj të parë e as duke u mbrojtur për çka llogari do t’i jap vetëm bashkëqytetarëve të mi dhe askujt tjetër, por duke e këshilluar publikisht, meqenëse gjykoj se si e re që është në politikë, ka nevojë shumë! Të këshilloj mos të flasësh në emër të së ashtuquajturës parti tënde por ti referohesh gjithmonë votave personale ashtu si edhe vetë i quajte.
Dhe e di pse, sepse në Dibër as nuk ka elektorat çam dhe aq më pak votues që të njohin kauzat e shenjta do të thosha të kësaj Partie. Mjaft ju mor vota dibranit me mashtrime e gënjeshtra, intriga e presione, me bukë e kërbaç, mos i ngatërro edhe më këtë pjesë se nuk e meritojnë kaq shumë t’jua fyesh inteligjencën”, thuhej në përgjigjen e Ramës.
Pasojat Muharrem Rama i vuajti dy vite më pas, pasi nuk u rikandidua, si duket edhe nga lobimi i grupit të deputetes me të atin në krye. PS vendosi Dionis Ymerajn, që një vit më parë dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet, por humbi.