Pajisjet e reja të vëna në dispozicion të policisë rrugore kanë bërë të mundur evidentime të shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve.
Policia ka njoftuar se 52 leje drejtimi janë bllokuar pasi shoferët janë konstatuar duke ecur me shpejtësi “skëterrë” në dy akse kryesore në vend që janë Elbasan-Rrogozhinë-Kakavije dhe Vorë-Thumanë-Milot.
Njoftimi i Policisë:
Kontrolle të befasishme në të gjithë vendin, nga makina inteligjente, flota e automjeteve të reja, të pajisura me radarë dhe lexues automatikë, radarët, kamerat, aparate fotografikë, droni edukues dhe mjetet e palogura, të cilat po monitorojnë qarkullimin rrugor, në të gjitha akset e vendit.
Kontrollet, nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të në qarqe.
Si rezultat i kontrollit nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policitë Rrugore Vendore, të Elbasanit, Tiranës, Kavajës, Durrësit dhe Lezhës, gjatë 24 orëve të fundit, në akset rrugore Elbasan-Rrogozhinë-Kakavije dhe Vorë-Thumanë-Milot, janë konstatuar qindra shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Konkretisht, janë pezulluar 52 leje drejtimi, për shpejtësi që varionin deri 188 km/h, në akse, ku limiti i lejuar i shpejtësisë është 90 km/h.
Janë vendosur 356 masa administrative, për shpejtësi mbi 20 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit;
Gjithashtu, për shkeljet që janë rreziqe potenciale, për përfshirje në ngjarje rrugore, janë vendosur konkretisht:
٠98 masa administrative, për parakalime të gabuara;
٠107 masa administrative, për përdorimi të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
٠67 masa administrative, për mosvendosje të rripit të sigurimit;
٠41 masa administrative, për të trija shkeljet së bashku, qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe
٠56 masa administrative ndaj drejtuesve të motomjeteve, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.