Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, akuzoi Rusinë se është një shtet “terrorist” që kryen “akte terroriste të përditshme” dhe kërkoi dëbimin e Rusisë nga Kombet e Bashkuara, në një fjalim virtual në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të martën.
Sipas mediave të huaja, Zelenskyy i kërkoi OKB-së të krijojë një gjykatë ndërkombëtare për të hetuar veprimet e pushtuesve rusë në tokën ukrainase.
“Ne duhet të veprojmë urgjentisht për të bërë gjithçka që Rusia të ndalojë së zbavituri me vrasjet,” -tha Zelenskyy.
Ai paralajmëroi liderë që nesë kjo nuk bëhet sa më shpejt “aktiviteti terrorist” i Rusisë do të përhapet në vendet e tjera evropiane dhe Azi, duke veçuar shtetet baltike, Poloninë, Moldavinë dhe Kazakistanin.
“Ajo që dënohet në nivelin e kriminelëve të veçantë dhe organizatave kriminale nuk duhet të kalojë e pandëshkuar në nivelin e një shteti që është kthyer në terrorist. Akte të përditshme terroriste. Asnjë ditë ndalim. Ata veprojnë si terroristë çdo ditë,”-tha ai.
Në sulmin ajror të së hënës mbi një qendër tregtare të mbushur me njerëz në qytetin qendror Kremenchuk të paktën 18 persona u vranë dhe 30 u plagosën, tha Zelenskyy, duke shtuar se “dhjetra janë të zhdukur”, pjesë trupash janë gjetur dhe mund të ketë më shumë viktima.
Udhëheqësi ukrainas e filloi fjalimin e tij duke renditur sulmet e Rusisë në ditët e fundit dhe duke dhënë emrat e parë dhe moshat e shumë prej viktimave. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke u kërkuar 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe të tjerëve në dhomë që të mbajnë heshtje për të përkujtuar “dhjetëra mijëra” fëmijë dhe të rritur ukrainas të vrarë në luftë.
Të gjithë anëtarët u ngritën, përfshirë zëvendës ambasadorin e Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy.Kur ai mori fjalën më vonë, Polyanskiy protestoi kundër dhënies së një mundësie të dytë Zelenskyy për t’iu drejtuar Këshillit të Sigurimit. Ai tha se forumi nuk duhet të kthehet në “një platformë për një fushatë mediatike ” që synon marrjen “e më shumë armëve” nga ata që sot marrin pjesë në samitin e NATO-s në Madrid.