Kuvendi i Shqipërisë sot mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit të Çamërisë nga grekët, bazuar në ligjin e miratuar më 30 qershor 1994 për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar, si dita përkujtimore e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, shpallur me dekretin 885, në datën 12.7.1994.
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi mbajti një fjalim të fortë në Kuvend dhe i kërkoi politikës që të lerë ndasitë dhe të bëhet bashkë për të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë.
“Unë po ju kërkoj që duhet të jemi të gjithë bashkë kur flitet për interesin kombëtar. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë nuk është çështjes e një komunitetit, por është e të gjithë shqiptarëve” deklaroi ai.
Më pas, Idrizi foli dhe propozoi zgjidhje konkrete që nisin nga ngritja e një komisioni të përbashkët. “E kërkova fjalën për t’i kujtuar parlamentit se disa ditë më parë ishte data 27 qershor, e njohur si dita e gjenocidit të Çamërisë nga Greqia.
Sikur është e njohur në fund të luftës së dytë botërore mbi popullsinë çame u krye një nga gjenocidet dhe spastrimet etnike më të pashembullta. 2777 jetë njerëzore u masakruan. 66 fshatra u rrafshuan dhe dogjën dhe 30 mijë shqiptarë të Çamërisë u dënuan.
2900 të tjerë vdiqën nga uria dhe etja. Kjo seancë vjen pas “Javës Çame”, që është kthim në testamentin e vuajtjeve të të parëve. Sot kemi një dramë të pazgjidhur që nuk ka marrë drejtësi. Shqiptarët u dënuan për shkak të të qenit shqiptarë dhe besimit në Zot. Çamëria dhe Kosova u sakrifikuan në 1913 për këtë Shqipëri politike që kemi sot dhe që ju të jeni deputetë në këtë kuvend.
Shqiptarët nuk kthejnë dot pronat e tyre me mekanizma jashtëligjorë. Sot Greqia ka një përgjigje foshnjarake dhe jo serioze që “nuk e njohim dhe nuk ekziston”. Kjo më kujton atë njeriun që fut gishtat në vesh dhe mbyll sytë. Kush nuk ekziston? Po e nis nga vetja. Babai im u dëbua në moshën 2-vjeçare nga Margëlliçi.
Si unë në këtë sallë janë të paktën edhe 5 deputetë të tjerë që kanë gjak çamë dhe 200 mijë shqiptarë të Çamërisë. Ne nuk jemi rastësisht këtu, por si pasardhës të atyre që u vranë, masakruan dhe dënuan vetëm se ishin shqiptarë. Vetëm në zgjedhjet e fundit ishin mbi 30 kandidatë çamë vetëm në 5 qarqe.
Të respektohet e drejta e jetës. Unë do të propozoj disa zgjidhje; kemi kërkuar dënimin e gjenocidit dhe spastrimin etnik. Ne kërkojmë nga Greqia një falje publike” tha ai. Gjithashtu Idrizi denoncoi se “dosja e Çamërisë në Ministrinë e Jashtme është zhdukur”.