Ish-kryetari i komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj kritikoi sot ministrinë e Drejtësisë dhe KLGJ-në për situatën e gjyqësorit pas bojkotit të avokatëve prej tre javësh, pasi janë pozicionuar kundër hartës së re gjyqësore. Ai tha sot në komisionin e Ligjeve që kjo çështje duhet të ishte zgjidhur.
“Prej ditësh ka një grevë totale të avokatëve. Përtej asaj se çfarë mendon Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, ne jemi këtu përfaqësues të qytetarëve. Kjo duhet të na shqetësojë dhe jemi ne që duhet t’i vëmë ata në presion.
Edhe ministria edhe KLGJ janë në shkelje të rëndë të ligjit për këtë çështje. U bë dy javë që nuk ka gjyqe. Njerëzit presin avokatët. Situatës që kemi ne në sistem, i shtojmë edhe faktorë të kësaj natyre. Nuk kanë lidhje momentet që bëjnë institucionet me seancën dëgjimore.
Ky debat që bëjmë ne këtu mund të bindë avokatët që të tërhiqen, mund të bindi KLGJ të tërheq propozimet, mund të na bindë dhe në që ka të drejtë këshilli dhe ministria dhe u themi avokatëve që s’keni të drejtë, dhe u japim një përgjigje. Duhet përshpejtuar ky proces” tha ai.
Partia Demokratike kërkoi sot dëgjesë me ministrin e drejtësisë, KLGj, KLP dhe Dhomën Kombëtare të Avokatëve për hartën e re gjyqësore. Pas kërkesës së PD, kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka tha kjo dëgjesë do të rakordohet që të zhvillohet në datën 11 ose 12 korrik.